NË VARRIMIN E TË GJALLËVE
Të gjithë po shkojnë në varrimin
E të gjallëve
Si në festë, të larë, parfumuar
Duke mbajtur në krah skeletin e hijeve
Të tyre
Dhe kafkën e ditëve të pajetuara
Në duar.
Vdekja është e vërtetë, s’ka dyshim
Kaq e vërtetë është dhe jeta
Deri në orën e çastit fatal
Ja turma transparente, pa shtirje, pendim
Tërhiqet natyrshëm nga të vdekurit
E gjallë.
Vetveten sodit turma magjitharë
Nën ritme makabre vallzimesh
Lavdie të hirtë
Të vetvrarë
Shkrirë brenda syve
Pa dritë.
Dikush vërtitet për të kërkuar dritat e shuara
Duke kapërcyer muret e rrënuara
Që e lanë jashtë kësaj bote
Në mendime të ngurosura, të humbura
Boshe
Pa kthyer kokën pas
Në orë të tejdukshme horizontesh.
Turma lëviz e jargavantë
Si fantazmë
Në muzgun e shekujve,
Viteve, muajve, ditëve
Për t’u varrosur përtej të shkuarës
Shkëlqimtare të yjeve.
Duke kërkuar botën e nëndheshme
Në vizionet tona
Të padukura akoma…
Kanë ardhur të gjithë në funeral
Yjet e plagosur nga malli për njerinë
Dielli që mbeti pas shpine
Si një pjatë me temjan
Në takimin e fundit të dashurisë
Në kishë
Hëna që kacaviret në kujtesën e ujërave
Deti me elegjinë e tij të lodhur
Sfiduese
Erërat e vakura
Vrundujt e ajrit të mbledhur kruspull
Vegimet mes horizonteve
Drutë e së Mirës, e së Keqes
Hareja e barit, pëshpërimat e padukshme
Të Mallit
Madje dhe një palmë fillikat
Që nis një këngë vaji,
Të ftohtë, të përzishme.
Kanë ardhur edhe
Gjysmëhijet
Që shoqërojnë gjith jetën
Shpirtin bosh të njeriut
Në pafundësitë e braktisura
Mbi buzë të trëndafilta agimesh
Që shuhen pa hyrë kurrë
Në zemër të tij.
Kanë ardhur?…Po…kanë ardhur
Edhe një grusht engjëjsh
Që këndojnë
Duke gëlltitur lotët
Që vegimesh pasqyrohen
Nga nostalgjia e hijes sime
Kur imaret e mendimeve lakohen.
Funerali i të gjallëve, përtej erës
Është bërë trupi im i zbrazët
Që i njeh udhët përtej qiellit
Me shkulme e avuj mëndafshi.
Arrita vonë, shumë vonë
Me statujën e hijes sime
Në duar
Funerali po mbaron
Lutja tani është e kotë.
Largohu vdekje
Hyjni e adhuruar!
Udhën do vazhdoj
Mes përfytyrimit qiellor
Hirplotë
Të ndez yjet e shpresës
Nga fundi i botës gjer sot.