Shije dimri-Dhurata Haxhiu Kasa


Shije dimri

Shije dimri ky fillim viti,

njerëzit mbyllur guackave të leshta,

por përsëri shkëlqejnë dritëza në sy,

përtej xhamave të mjegullt,

shi jashtë në asfalte shkitur,

brenda në shpirt zjarrmi e trungut dimëror,

kërkon gargujt të ngjiten kreshtave,

mbuluar me borë.

Dimri mendimtar thith frymë njerëzore,

një grua zgjohet herët, me mëngjesin bën dashuri,

ai i fal çaste hyjnore,

ajo i jep kuptimin e ekzistencës,

nuk pushon shiu dhe bora,

tashmë habitati i tyre aromë e ftohtë,

kjo grua frymon nën penuar dhe në pasqyrë,

më e bukur se kurrë portreti i saj dimëror.

Ka rënë shumë borë në male,

dhe në tokë kanë rënë shumë trazime të shpirtit,

e ndërsa bora i shtjell shtigjet e veta,

toka i shkrin angështitë e portrerit në pasqyrën e vetes.

Shije dimri ky mëngjes i hirtë,

që përpëlit pikla nën qerpikë,

një rimel të bardhë lëshon mbi tastet e strehësëz,

dëgjohet veç ashti femëror,

kjo muzë dimri.