Flet një ndër themeluesit e PS në Athinë-Nga Albert Zholi


Flet një ndër themeluesit e PS në Athinë në vitin 1996, Lefter Marta: PS ka ndryshuar me të ashtuquajturën Rilindje, por për mua kjo rilindje nuk ka asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë.

-Partia Socialiste e Rilindjes i ka harruar të gjithë themeluesit e saj të viteve të para të emigracionit në Athinë dhe Shqipëri

-Si organizuam mitingjet e Nanos dhe Finos në vitin 1997 në Athinë sa mediat greke nuk e besonin.

-Të gjitha mediat greke shkruanin “Fitorja e Nanos u vendos në Athinë”.

– Fatos Nano ishte shumë popullor të takonte, qante hallet, këta të sotmit as të hedhin sytë.

-Në PS në pozicione drejtuese në qeveri dhe në bazë ka më shumë militantë të PD.

– Unë bëj pjesë në ata idealistët e rrallë që PS nuk i do sot në radhët e saj pasi ne nuk njohim vjedhjen, korrupsionin shitjen e interesave të atdheut.

-Organizimi PS në Athinë dhe i shoqatës së parë “Vëllazërimi” erdhi pas vizitës së Dritëro Agollit në Athinë në vitin 1996.

-Agolli dhe Mokiom Zeqo na orientuan për organizimin e degës së PS në Athinë

– Kam 34 vjet me PS, por të gjithë na kanë harruar

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Me Lefter Martën jam njohur në Athinë në vitin 1993. Qysh atëhere kam mabjtur lidhje të vazhdueshme. Mund të them se Lefteri është një patriot I flaktë dhe  mjaft aktiv në PS. Bashkë me të ishim nismëtarët për themelimin e Shoqatës “Vllazërimi” në Athinë dhe të degës së PS. Nuk e harroj figurën e tij në protestat në Athinë në mbrojtje të të drejtave të vëllezërvë kosovarë. Por patriotizmi tij ka kaluar në heshtje…

–         Lefter ju jeni një ndër themeluesit e PS në Athinë dhe ish-Sekretar i Shoqatës së parë Shqiptare në Athinë asaj “Vëllazërimi”. Kur u largove për në Athinë dhe pse?

–         Unë jam larguar nga Shqipëria në vitin 1991 kur pashë se në Shqipëri nuk kishte as demokraci, as punë, as siguri. Vitet 1991 deri në 1997 në Shqipëri ishte anarki. Ndaj vendosa të shkoj në Athinë pasi dija pak gjuhën dhe shumë shokë të mi ishin aty. Munda të nxjerr një vizë dhe u vendosa aty duke ushtruar profesionin e bojaxhiut për mëse 28 vjet.

-Ju jeni me origjinë nga fshati i bukur i Qeparoit. Çfarë mund të thuash për fshatin e origjinës?

Qeparoi është një ndër fshatrat më të bukur të bregdetit shqiptar ku në çdo vend ka histori.

Kur hedh sytë të bie në sy lugina e Qeparoit, plazhi, fusha e gjelbër dhe fshati i ri Qeparo fushë, më lart Qeparoit, kalaja e Karosit dhe në thellësi fshati Kudhës. Emri i fshatit Qeparoi vjen nga bima e qiparisit. Plazhi i Skalomes, i veçantë për rërën e hollë dhe detin e cekët të shfaqet përpara.

Në gjirin e vogël gjendet moli i lashtë, një bankinë prej blloqesh guri, shpella e Frëngut dhe Hunda e Madhe. Rruga nacionale përmes ullishtave të çon në qendër të fshatit, përmbi të cilin ngrihet manastiri i Shën Mitrit i ndërtuar në 1881, Kisha e Shën Mitrit është e stilit bizantin e ndërtuar në vitin 1760 dhe ka vlera të mëdha për ikonostaset e saj prej druri. Në Qafën e Lerës shpaloset një pamje: deti i kaltër mes te cilit janë zhytur dy gadishuj, ai i Panormit mjaft i madh dhe i Palermos më i vogël të cilët përfshijnë midis tyre një hapësirë deti dhe xhepa të qetë natyrore për ankorimin e anijeve që në kohët e lashta. Mund të flas shumë për këtë fshat me histori të madhe në historinë e Shqipërisë. Ne jemi shqiptarë autoktobë që kemi lënë gjurmë në histori.

-Të kthehemi në Athinë. Filloi organizimi i emigrantëve në Athinë. Po roli juaj cili ka qenë?

-Unë jam i majtë dhe nuk ndryshoj. Dhe pse PS ka ndryshuar me të ashtuquajturën Rilindje, por për mua kjo rilindje nuk ka asgjë të përbashkët me socialistët e vërtetë dhe me militantët e saj idealist. Unë bëj pjesë në ata idealistët e rrallë që PS nuk i do sot në radhët e saj, pasi ne nuk njohim vjedhjen, korrupsionin shitjen e interesave të atdheut.

Në vitin 1996 ne mundëm të organizonim ardhjen e Dritëro Agollit në Athinë. Ideja e parë për një vizitë të mundshme, jo për turizëm, natyrisht por për të pakësuar mallin e emigrantëve, na u dha në muajin qershor 1996. Qe ndodhur këtu gazetari dhe juristi S. Braho dhe ne, një grup adhuruesish të letërsisë  biseduam me të për Dritëroin. Diçka na premtoi zoti Braho. Nuk duheshin shumë çika për t’u ndezur eshka e mallit. Lajmet e para nga Shqipëria ishin inkurajuese. Lajme nga “qiraxhinjtë e Grebenesë” që vinin duke kaptuar malet. Zoti Dino Kubati shkrimtar e publicist arvanitas ishte gjithashtu i interesuar shumë për vizitën e Agollit. Ai mori përsipër nxjerrjen e vizave, ndërsa ne me disa shokë përgatitjet për sallën e lajmërimin e emigrantëve… Nuk merrnim dot frymë nga telefonatat. Dhe ja, ai erdhi ashtu, papritur siç mund të vijë  një refugjat. Jo vetëm! Me tre të tjerë: E shoqja Sadija dhe poeti tjetër Moikom Zeqo dhe Spartak Braho. Qe një alarm që përshkroi gjithë “pjesën” shqiptare të Athinës. Poeti i madh kishte bredhur mjaft nëpër Shqipëri dhe kishte pasur shumë miq. Miq që nga ndonjëherë nuk i mbante mend, sepse u kishte bujtur vetëm një darkë në shtëpi. Por ata e konsideronin këtë  gjithë jetën një nder të madh dhe tani, të emigruar në Greqi, natyrisht jo midis 3 milion shqiptarëve, por midis 300 000 emigrantëve, ngjante se Shansi  për t’u bujtur edhe një herë poeti në shtëpi ishte 10 herë më i madh. Në bisedat me Agollin ai solli dhe idenë e kirijimit të degës së PS në Athinë dhe të një shoqate më të organizuar sipas rregullave të shtetit grek. Pas ikjes së Agollit ne i patëm parasysh idetë e tij dhe filluam të organizoheshim. Por në këtë kohë do vinte viti i mbrapshtë 1997. Kështu u krijua Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Emigrantëve të Greqisë “VËLLAZËRIMI”. Kryesinë e tij do ja besonim shkrimtarit dhe gazetarit Albert ZHOLI dhe unë Sekretar. Por nuk isha vetëm. Myftar Kurti, Agron Lala, Thoma Sava, Aleksandër Baka, Novruz Abilekaj, Isuf Danaj, Agim Zeneli, Theodhor Logo, Vasil Logo, Kastriot Kaçupaj, Mihal Dusha, Ilia Averbah Tomor Topore, si këshill drejtues por edhe aktivistët V. Danga, Ilia Lolo, Albert Rudaj, P. Nuredini, Feti Skëndaj, Safet Aneli, Fatmir Meçe, L, Ziflo, Z. Zhupa, P. Pëllumbi, V.Dai, N.Kokthi, V.Prifti, M.Jano, A. Gaziu, L. Bineri, A.Skëndaj, P. Zani, B. Halili, D. Kodra po sakrifikonin shumë. Pas rrëzimit të skemave piramidale të “Sudes”, ‘Popullit”, “Xhaferrit”, ranë të gjitha firmat e tjera, të cilat qeveria e Berishës nuk donte t’i quante piramidale për shkak të financimeve  të mëdha që kishte marrë prej tyre, siç do të dilte më pas, gjendja e emigrantëve arriti kulmin  e dëshpërimit. Shpallja e falimentimit të “Gjallicës”, si një nga më të fuqishmet firma pas “Vefës”, shkaktoi indinjatë të jashtëzakonshme. Shumë njerëz u nisën drejt Shqipërisë për të shpëtuar diçka nga katastrofa. Sidomos ata të rretheve jugore e kryesisht vlonjate.

-Pra ju ndiqnit të gjithë shqetësimet në atdhe?

-Sigurisht madje me më shumë interes sepse kishim lekët tona në firmat piramidale. Ndërkohë Shqipëria kishte hyrë në një periudhë tepër të turbullt. Nisën grevat e urisë së rinisë studentore, sidomos greva e urisë në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës. I gjithë jugu ishte  demonstrata. Ndërkohë ngjarjet në Shqipëri kishin evoluar në mënyrë të shpejtë. Jo vetëm që ishte krijuar Qeveria e Pajtimit Kombëtar me kryeministër socialistin Bashkim Fino (9 mars 1997) , por ky i fundit kishte nisur një sërë përpjekjesh për të siguruar mbështetjen  e qeverisë së tij në vendet fqinje dhe në SHBA. Në këtë kuadër kryeministri erdhi dhe në Athinë. Gjetëm mundësinë ta takonim dhe t’i kërkonim një takim me emigrantët. Na u përgjigj me dashamirësi. Takimi u zhvillua në një nga sallat e të famshmit POLITEHNIO,(Universitetit Politeknik), ku kishte nisur përmbysja e diktaturës. Vend më simbolik nuk mundej të gjendej. Ishin të pranishëm mëse 1000 emigrantë. Bisedën tonë e filmonin 8 stacione televizive greke dhe të huaja. Ishte i pari kryeministër që pranonte të bisedonte me ne si vëllai me vëllanë. Në 20 qershor 1997 disa ditë para zgjedhjeve të 1997 Shoqata |Vëllazërimi” dhe dega e PS në Athinë organizojmë mitingun e Fatos Nanos në Athinë. Ishte një ditë e veçantë. Në sheshin “Konigos” në Athinë u mblodhën rreth 70 mijë emigrantë.Mediat greke u befasuan. Madje të nesërmen të gjitha gazetat e përditshme greke shkruanin se “Fitroja e PS u vendos në Athinë”. Ishte një ditë që nuk harrohet kurrë. Fatos Nano na dhe shumë shpresë. Për dy ditë Athina gumëzhinte nga shqiptarët.

-Ende nuk kishte filluar legalizimi real në Athinë çfarë përpjekjesh bëtë me autoritetet greke në këtë situatë?

Ne në këtë kohë filluam të veprojmë. Bëmë një peticion që jua dërguam të gjithë trupit diplomatik të akredituar në Athinë dhe kryesisht qeverisë greke. Ja disa të drejta, të cilat na janë mohuar për mëse gjashtë vjet:

1.    T’i thuhet jo operacioneve të tipit “Fshesa” dhe të ligjërohemi si emigrantë ekonomikë. Kjo të jetë e vlefshme edhe për ata që vazhdojnë të vijnë.

2- Të lëshohen nga organet shtetërore lejet e punës për çdo emigrant shqiptar, qoftë ai i punësuar, apo jo.

3- Të regjistrohen emigrantët shqiptarë në institucionet e sigurimeve shoqërore, sikundër bëhet kjo edhe për punëtorët  grekë.

4- Të lejohen shoqata të pavarura emigrantësh në Greqi.

5- Lejimin e kurseve jashtëshkollor, të cilat të bëjnë të mundur mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Çdo rezultat pozitiv në këto drejtime varet vetëm e vetëm nga ne! L. Marta, Th.Sava, M.Kurti, A.Baka, M.Dusha, K.Kaçupaj, por edhe A.Rudaj bën shumë propogandë si kryesi por; Ministria e punës dhe e Mbrojtjes sociale të Greqisë bëri disa konsulta. Diçka u muar parasysh  nga sugjerimet dhe kërkesat e emigrantëve. Por befas…pikërisht në kulmin e trazirave të fillimvitit ’97 në Shqipëri, një deklaratë e çuditshme, indinjuese, përjashton vetëm emigrantët shqiptarë e ata të ardhur nga vendet e Ballkanit, nga legalizimi. Ishte një shokim i vërtetë pas gjithë atyre premtimeve. Shqipëria nuk mund të protestonte, sepse qe e përfshirë nga lufta e imponuar nga Sali Berisha. Zgjedhjet e reja  ishin në prag. Tri ditë para tyre grekët hodhën “bombën” e parë…(Më 26 Qershor 1997). Dhe lufta, përpjekjet e mijëra e mijëra shqiptarëve, mesa duket do të vazhdojnë! Por jo… Në shtator një sihariq i madh. Qeveria greke miratoi një ligj për legalizimin. Brenda një viti. Ndoshta po na buzëqesh fati…Por me ç’farë kushtesh ende nuk dihet e saktë…

– Mund të na përmendësh disa nga aktivitetet e tua të tjera në Athinë?

Organizuam dërgimin e emigrantëve për votime në Qershor 1997. Ndërmjetësova pranë Karvanit Alilegjisë për ndihmat greke në Shqipëri në gusht 1997 duke qenë pjesë e Sindikatave Shqiptare me kryetar Kastriot Muço. Një pjesë të ndihmave i adresuam për në Vlorë. Një ndihmë në këtë drejtim më dha euro deputeti grek, Aleko Alavano. Ndërmjetësova për ndihmat në Peshkopi me ushqime dhe për spitalin e qytetit. Ndëmjetësova për takimin e kryetarit të partisë “Syriza” Niko Konstantopulos me Fatos Nanon. Përtej këtyre situatave më e vështirë ishte kur  organizuam demonstratat për Kosovën në mbrojtje të lirisë së popullit Kosovar. Ju e dini që i gjithë opinioni grek ishte kundër Kosovës. Së bashku me të paharruarin Aristidh Kola, Jorgo Mihas e Kosta Gazelin ish këshilltar i Ambasadës Shqiptare në Athinë dolëm në televizionet greke për të drejtat e Kosovës. Policia greke më arrestoi disa ditë në qershor të 1999 pse dilja në televizor e merrja pjesë në mitingjet për Kosovën si organizator. Ndihmova dhe në zgjedhjet për Bashkinë Himarë, ku dhashë kontributin tim modest për Vangjel Tavon. Kam 34 vjet me PS, por të gjithë na kanë harruar. Jam 76 vjeç dhe akoma s’kam marrë certifikatën e pronësisë për tokat.

Takimi me Prof. Kristo Frashëri dhe Prof Arben Puto

– Ishte emocionues takimi im me dy shkencëtarët tanë më të mëdhenj profesor Arben Puto dhe profesor Kristo Frashëri. Këtë takim na e mundësoi gazetari i emigracionit Albert Zholi. Të dy të mëdhenjtë e historisë, por edhe të Helsinkit shqiptar, kishin bujtur në Athinë në mars të vitit 1996 për të marrë pjesë në Helsinkun Ballkanik. Patëm nderin t’i shoqëronim disa herë. Skrupulozë deri në sëmundje, ata besonin se nuk mund të flitej për histori të vjetër të Shqipërisë pa ditur zhvillimet më të fundit të njerëzve të saj. Dhe donin të dinin gjithçka, për emigracionin më të ri, për jetën, vështirësitë, perspektivën. Zoti Kristo Frashëri ndenji ca ditë më shumë se kolegu i tij, sepse në Athinë kishte vajzën e tij dhe mbesat. Por edhe për një punë tjetër: të rrëmonte nëpër biblioteka. Punonte gati-gati 10 orë në ditë. Dhe të mendosh që një 75 vjeçar atëhere duket se nuk mund të shkëputet së fundi nga punët, për të shijuar vitet e fundit të jetës. Por jo: si ajo fjala e urtë shqiptare, “mbollën të tjerë- hëngra unë, do të mbjell unë – të hanë të tjerët”. Profesori i moshuar synonte ende të lindte akoma diçka në librat e tij të shkruara. Një ditë na tha: Dikush nuk ka folur mirë për mua aty në Tiranë…Nuk përmendi as emër dhe as mbiemër. Nuk shau e as fyu njeri. Por Alberti më tha të nesërmen se një gazetë pro-qeveritare (PD) e kishte fyer për të kaluarën e tij komuniste. Modeli i fyerjeve ishte i njëjtë me atë të mijëra njerëzve e intelektualëve që u bëheshin në Shqipëri. Qe ai denigrim që i detyroi të largoheshin nga vendi. Mos donin të largonin dhe profesor Kristo Frashërin? Mos donin të dëbonin njeriun që e respektonte gjithë ballkaniada  e historiografisë, apo ajo e të drejtave të njeriut? Po kush do të mbetej paskëtaj?

Shteti na sorollat!

Nga ne kërkon votën dhe ja japim .

Sa herë vijnë zgjedhjet na premtojnë për pronat.