“Atdhe-dhembshuri”-Adelina Mina


Sa diej kanë lindur unë çdo ditë rritesha,
Mëkova prej nënës gjuhën mjalt flori,
Dhe mallëngjimin e treta si bora kreshtave,
Te ty Atdheu im, i zgjuari atdhedashuri.

Lumenjve të ftohtë, kodrave ngjyrëhekuri,
Luginave të gjera, shkëmbinjve të kuq e gri,
Kurorave të maleve si përkrenare me thepa,
Iu desh një jetë e gjatë luftrash për liri.

Sa fushave të gjera e grurit qumështor,
Hëngra bukën tënde të pakursyer bujari,
Në sytë e mi mbetesh madhështor,
Më mbushe shpirtin plot me dashuri.

Kohërat vijnë si rrebeshe në stuhitë,
Sikur dhe dielli rilind i shndritshëm flakë,
Dikush te deshi, dikush të shiti për të marrë hak,
Dikush të mirëqeverisi, dikush të flaku si mbetje për skrap.

Vëlla! Si po të duket bota? – pyesin tashmë,
T’i shkulën filizat , pse kjo mahni e re?
Po dihet e vërteta një mal me gënjeshtra jeta,
U ndjeva e tradhtuar, prandaj u largova nga ty atdhe.

Marr frymë tek shoh ngjyrat e mëngjesit si ylbere tokësore,
E ndjen braktisjen, zvarritja, të folurit me hua,
Deteve të ndritur, të freskët, të trazuar, bukuri madhështore,
Lexohet dhimbshëm në mendjet e lëkundura.

-Hej, vëlla!, Si po të duket bota?!
U lodha për të qenë Atdheu im,
Çmimin e Atdheut në dhe’ të huaj pagova,
Me jetën, pasurinë, familjen si betim.

  • Adelina Mina –
    15.11.2023
    @Tëgjitha të drejtat të rezervuara.