Bashkë, bashkë!…Vaso Papaj


Bashkë, bashkë!…

(Poezi e çartur)

Sa histori kemi kaluar në jetë

Dhe sa të tjera kemi ndër mend të kalojmë.

Histori buzë Devollit, histori në Bashtovë,

Si ëndrrimtarë syhapur.

Histori humbëtirash me liri të kapur.

E sa herë kemi parë nga kiçi i një trageti

Përkëdhelje t’ëmbla shkume, dallgë Currilash,

E u kujdesëm, ato pamje, mos i digjnim.

I futëm brenda vetes

Të mbeteshim gjallë, të na ndriçonin shpirtin.

Herë tjetër jemi gjendur mes thëllimit,

Ndën rrënojat e Spaçit, përqafuar me heshtjen.

Të kujtonim vdekjen, mbetur gjallë,

Po atje mes malesh e lamë larg urrejtjen,

Kishim Zotin përballë…

Dhe pas kësaj, u kthyem në qoshen tonë.

Rinisëm prapë jetën me ditë të njëllojta.

Shtrirë në divan, e se nga na vinte e ngrohta,

Kur përtypnim me zë “pensione dhe lutje”,

Mbuluar ashtu, me frymë e me puthje.

Por pastaj… Pastaj… Ah!

Ti me Migjenin në dorë, unë me pyetje:

“Ç’i the?… Ç’të tha?…

Bashkë, bashkë… Gjer në fund.

Bashkë këtë kohë, s’ka njeri të na mundë…”

E ngrohte kjo bisedë ditën dimërore.

Ka qenë ajo jetë, që kemi dashur të jetojmë.

Ka qenë ëndërra që ne besojmë:

E vetmja rrugë: bashkë… bashkë…

Me dashuri të dashurojmë…

Të shohim pra, përsëri ëndrra që s’flenë

Për ne, kjo është e vetmja rrugë që vlen.

Kështu të jemi, pa asnjë shpjegim tjetër:

“Bashkë, bashkë!

Ky është betimi ynë i vjetër.”