“Bija e Shebenikut në Myzeqe “Sheqere( Ozuni )Sina


Dhe ja, 15 qershori erdhi, u zgjova bashkë me diellin dhe këngën e gjelit. Emocionet më ranë qëkur u futa në provim, me përparëse të zezë dhe jakë të bardhë. Por nuk u tremba fare, se i kisha mësuar të gjitha pyetjet.

U ula në një bankë para komisionit të mësuesve, ku ishte dhe një i dërguar nga seksioni i arsimit të rrethit. Atë ditë do të dilte dhe përfundimi i rezultatit të 4 viteve në Shkollën 8- vjeçare. Provimin e dhashë me sukses, duke dorëzuar edhe fletën e vulosur nga drejtoria dhe dola jashtë e skuqur flakë në fytyrë. Për të pritur të dilnin rezultatet. Në korridor dëgjoheshin zëra që bisedonin me njeri-tjetrin për pyetjet që kishin zgjidhur.

Kur vajta në shtëpi takova Erën, që ishte në gjimnazin e Hotolishtit se në atë kohë nuk kishte bursë. Ndonëse Kushërira mësonte shumë dhe kishte babanë të organizuar. Shkolla e përgjithshme duhej bërë patjetër dhe atë vit, u bë me detyrim, për rritjen e nivelit të kulturës dhe arsimit. Atë ditë ndenja me Erën se më kish marrë malli. Ajo më pyeti për provimin e gjuhës, si dola. Nuk i kishim marrë ende notat, por me hamendje thashë me buzëqeshje, se i bëra mirë.

Në klasën e 8 ishim 30 veta nga fshatrat përqark, kurse nga fshati im ishim katër, që u futem në provimin përfundimtar. Të gjithë dolëm mirë, se kishim edhe mësuesit që na rrinin mbi kokë dhe interesoheshin herë pas here. Ja po vinte edhe çasti, kur mësuesi kujdestar, po jepte rezultat. Edhe pse kisha qenë e përgatitur, nuk di pse m’u shfaq një ankth. Po kur dëgjova emrin tim, “10 në gjuhë lexim”, në atë moment më shpërthyen lotët. Ndjeva shoqet që më kapën për dore dhe më shtrënguan.

Ajo ditë ishte e fundit dhe mezi po prisnim mbrëmjen e mbarimit të vitit shkollor. Dhe ja, ra mbrëmja, të gjitha vajzat dhe djemtë me thjeshtësinë e veshjeve të tyre, po prisnin të fillonte muzika, nga orkestra me fizarmonikë e fshatit. Mbrëmja filloi. Mësuesi kujdestar ndau edhe fletë lavdërimet, nder ta isha dhe unë.

Kur filloi vallëzimi, djemtë shkuan te merrnin vajzat. Pa e pasur mendjen, një djalë nga fshati, që i binte klarinetës m’u afrua. Eh, thashë me vete, të mos i ngrihem, fundja nuk e kam shok klase. Djali këmbënguli dhe unë hodha vështrimin nga mësuesi i gjuhës, ai tundi kokën, çohu!… Ishim shumë të turpshme, fytyra ime u bë zjarr. Djali e vuri re reagimin tim, më shtrëngoi dorën, më pa në sy, tha faleminderit dhe u ul i turpëruar.

Kur s’kaloi shumë, kushëri im edhi tek unë dhe më tha: “Hajde kushe, të kërcejmë, janë kujtimet e fundit, kushedi ku do na përplasi jeta!”. Gjatë kërcimit e pyeta për rezultatet dhe çfarë kishte ndërmend të vazhdonte. Ai mu përgjigj se kishte marrë 10 në të dy lëndët, por qejfi ia kishte për mjekësi, të bëhej doktor, por nuk i dihej. Ai më pyeti mua dhe i thashë, se doja të shkoja në shkollën e arteve, në Tiranë, por nuk e di, se babai nuk do dhe do e hedh për gjuhë-letërsi…

Mbrëmja vazhdoi dhe kënaqësia s’kishte të mbaruar, deri në mëngjes, aq sa nuk na bënim këmbët të ndaheshim. Aty poshtë shkollës, ishte një livadh, ku u ulëm dhe biseduam me shoqet. Gjatë rrugës për në shtëpi, më doli para një djalë. Ishte djali që më ftoi në vallëzim. Ai më kapi nga krahu. Në atë çast, pa kuptuar shoqet, e shtyva dhe i thashë: “S’kam ndërmend të lidhem me asnjë, se do vazhdoj shkollën!”

Befas një nga shoqet më pyeti: “Çfarë pati ai me ty?”

Unë iu përgjigja: “ Pyete po e pate merak!”

Pas asaj mbrëmjeje, u përqafuam me shoqet deri në agim. Kur zbardhi dita, ikëm nëpër shtëpitë tona me pikëllim të thellë, se ato vite nuk do ktheheshin më…