Çast
Nga këndi ku jam “ngujuar”, në vijë diagonale, shoh xixat e pandezura të bredhit që nuk u ndezën në dymijë e njëzetë e katrën. Nuk ja kisha ngenë. Thjesht, bredhi i thatë, mbetet në cepin e vetë si çdo vit, si aksesor zbukurimi nën bibliotekë. Është i shkurtër pesë pëllëmbë me të miat. Është i thatë sepse e kanë thurur me shkarpa. Kur ja kam ngenë, dhe e zbukuroj, nga pesëdhjetë centimetër, bëhet një metër e gjysëm.
Sot, më thanë, është data gjashtë janar dymijë e njëzetë e pesë dhe bredhi duhet të çmontohet. Ah, do shpëtoj nga paketim-ç’paketimi. Fap-fapet e xixave të dritave çuditërisht më japin dhimbje koke. Ishte edhe kjo një nga arsyet pse nuk e futa spinën në prizë.
Sot, na qenka edhe dita e “Ujit të Bekuar”, ma thanë edhe këtë, nuk e dija. Ime bijë, këtë vit, nuk shkoi në kishë me mikeshat e saja që të ndiqte ceremoninë e ritit fetar. Mbeta pa një shishkë me ujë të bekuar. Ndoshta, është ndonjë shenjë e keqe? Ndërsa vërej që kam ende pak ujë të bekuar nga vjet. Ndoshta e “bekoj” vetveten me ndonjë pikë këtë vit. Ndoshta, vetvetja s’ka nevojë hiç për bekimin me pika uji. Ndoshta, do e gjej bekimin në gjoksin e mamit dhe babit tim çdo ditë. Ata, jam e sigurt që ma japin. Hej, u bekova pa ujë të bekuar!
Madje sot, na qenka edhe datëlindja e këngëtarit të famshëm italian, i bërë mit së gjalli, datëlindja e Adriano Çelentanos, këtë ma tha ime bijë tani, pak para mesnate, e kishte mësuar nga interneti.
Sot, paska datën e lindjes Fan Noli klerik, politikan, dijetar, poet, përkthyes e historian shqiptar, dhe Sandër Prosi aktor shqiptar që shpirti u ndrittë ku janë. Figura emblemë të shqiptarisë.
Ooo, sot, është edhe një tjetër ditë e bukur, dita ndërkombëtare e motrës. Këtë, ma mësoi ime motër që është në anën tjetër të botës. Më shkroi thjesht një mesazh: motërz të dua. Kaq. Motra ime flet shkurt, qartë dhe pa zgjatje të tepërta.
Motër, sa më mungon…
Përqafime për gjithë vajzat që nuk kanë motër.
Alma Begaj
View more comments