Cikël poetik nga Antogona Marku


Antigona Marku ka lindur në qytetin e Pukës.  Pasioni për letërsine e ka kultivuar prej shumë vitesh. Ka shkruar vazhdimisht: poezi romane, proza dhe libra për femije.

 Botimet:

– Në anën tjetër të diellit (roman)

– Pak… (poezi)

– Në malet me borë ka jetë (novelë)

– Engjëj të dënuar (roman)

– Shtëpia prej pluhuri (roman)

– Përtej imagjinates (proza)

Shtëpia me çati jeshile (përrallë)

ZEMRA

Zemra, shtëpia e gjanave ma t’bukra

Plot me oda

E odat plot me zbukurime

T’reja e t’vjetra

Të tana kristale t’çmume

Zemra, shtëpia e shumëkujt

E fortë sa edhe e harrnume ban

Që ka sy e veshë t’mpehtë

Për vedi e për shpirt

Që n’çaste të vështira e fortë mbahet

E me ba me e pa nër oda t’veta

Prej mërzije të tana gjanat i ka thy

Kjo zemër fal tanë kohën

E nuk man inate

E nuk rrin kurr pa dashni

Zemra pra, shtëpia e gjanave

Ma t’bukra

Tanë jetën e saj ka me e kalu

Tuj mledh e tuj njit’

Copat e thyme t’gjanave

Nër oda t’saj.

VAJZA JEME 

Asaj i ka dalë gjumi

Fërkon sytë e saj blu

Largon mbulesën ngadalë

Çohet ndenjur, sheh nga dritarja

Me flokët e shpupurisun

Me ngjyrën e arit

E sytë e saj më shumë se kurrë blu

Si qielli i këtij mëngjesi

E këtij qielli ata sy 

I ngjajnë për ditë

Zbret nga krevati

Me këmbët e saj të vogla

Zbathur, ecën për nga unë

E unë mahnitem duke e parë

E gjith bota është kjo krijesë

I gjith qielli është aty

E gjith dashuria ime

Është tek kjo vajzë e vogël

Më kërkon me sy

E mbasi më ka gjetur

Me të gjith forcën e zemrës 

Më therret: “Nanë”

E un hap krahët sa mundem

Në përqafim, e pres e i them:

“Hajde te nana, o jete, o dritë”

E kjo është vajza ime

U them të gjithëve

Për ditë…

NËNË E BIJË

Asokohe të vishja, kujdesesha që të dukeshe bukur dhe e lumtur.

Sot kujdesesh ti për mua:

më vesh me kujdes e shumë dashuri.

Asokohe ndërsa të shoqëroja në rritjen tënde, shpesh bëja teatër e recitoja me shumë pasion përpara teje e veç për ty.

Sot ti lexon për mua pjesë të ndryshme librash që të ma bësh të bukur, të ma plotësosh ditën.

Asokohe kur unë ikja në punë 

edhe kur kthehesha 

të mbuloja me puthje, 

më merrte malli shumë për ty.

Sot ti kthehesh nga puna 

e nuk bën asgjë pa më përqafuar mua.

Asokohe kur të vija në gjumë 

të mbuloja mirë e mirë

të lëmoja flokët e lutesha shumë për ty.

Sot ti nuk shkon të flesh,

me shume dashuri më mbulon 

dhe më përkëdhel.

Asokohe nuk lije 

fustan a kepucë të miat pa veshur e provuar edhe pse të rrinin të medhaja 

ti qeshje shumë te pasqyra.

Sot mundohesh me të tuat bizhu ta zbukurosh timen pleqëri duke më thënë:

“Mama sa e bukur je ti”!

Atë ditë kur erdhe në jetë dridhesha nga lumturia,

e kur të mora për herë të parë në duar 

të shtrëngoja fort e me vete thosha:

“A do të jem në lartësinë e duhur 

për këtë fëmijë, këtë mrekulli”?

Sot e ndiej në të tuat përqafime 

se zëri të dridhet e fryma ritmin ta ndërron 

e di se me vete thua: “Nënë si do jetë pa ty”?

Eh, sa shumë asokohe 

e tani veç një gjë jeton në kohëra

e përjetshme kjo lidhje e jona

nënë e bijë.