Dallëndyshes së fundit-Kaltrinë E. Uka


Më mëso edhe mua një shteg për t’ja mbathur

kur malli më ngrinë, e s’ka kund një diell,

s’ka asnjë rreze të ngrohtë për tu kapur

veç rrebesh dhimbjesh e re të nxira në qiell.

Më mëso dhe mua vrullin e fuqishëm

të ikjes së patrembur të mbushur me heshtjet

kur erë e vjeshtës sjellë uturimën

dhe degët e lisit braktisen nga gjethet.

Më mëso dhe mua si iket nga ky shi,

që vjeshtën ia zgjon natyrës nëpër deje.

Tak e tak troket nëpër xham e çati

e shpërndan’ trisht vjeshtë brenda meje.

Më mëso rrugën kah ikët nga kjo stinë,

po më bien si gjethe ëndrrat që kam.

Nuk kam krahë si ti për të kaluar dete,

po më merr mbi supe, se shpend unë nuk jam.

Më mëso dhe mua atë shteg për t’ja mbathur

kur vjeshta më sjellë sëmbime në çdo anë.

Më mëso dhe mua atë vrull për tu nisur,

por mos pyet se cilat duar të ikja më lanë…

K.U