Dëshpërim i kaftë-Jeton Emroj


“Të lumtë”, sërish më le të zgjuar

Që sonte mos të mbyll sy

Nga gjumi thellë më ke privuar

Burg m’u bënë krevat, shtëpi…

Mendja s’më pjellë të shkruaj prozë

T’i bëj varg fjalët drejt në qiell

M’i dehe sytë, me doppio dozë

Përzure hënën, më solle diell

Guxim ku gjete, të më çmontosh

Të mbish në mua, dritë, qirinj?

Dëshirën e ëndrrës t’ma robërosh

Ç’i bëre gjumit, që nuk përpin?!

Rrënove ëndrrat që pezull më rrinë

Një “pijetarë” trazove rëndë

S’kam gjak në vena, kam kafeinë

Ndaj lehtë më morre nëpër këmbë

Kur drita të qartet gjithë anembanë

Zgjohem i paçtë, i etur për ty

Dhe një të zgjuar, sa më vjen pranë

Zhytem filxhanit fund e kry

Jeton Emroj