Dhe këtu dhe atje-Lola Shehi


DHE KËTU DHE ATJE

Kur jam atje, me mëndje fluturoj këtu ku je ti

Malli e meraku më bluan si mokërr shpirt e ashtë

Orët e gjata të udhëtimit më bëhen erë vetëm kur vi

Kur shkoj, e padiskutueshme që fryn murlan e rigon shi.

Kur jam atje, humbas fillin e ngatërrohem në hesape orësh

Sherrosem me ditët që tek ti janë netë

Grindem me diellin kur puth oqeanin e shkon në perëndim

Me duart që digjen ethesh, shkruaj e gris letrat e mallit tim.

Kur jam këtu, më merr malli për gjithçka kam lënë atje

Për ferrat në kopsht, gurët e oborrit, ngazëllimin e qenit kur kthehem në shtëpi

Më mungojnë çastet kur mallohem për ndriçimin e shikimit tënd

Më mungojnë liqene lotësh prangosur në rrethsy.

Kur jam atje, si stratege e sprovuar u shpall luftë të hapur arkitektëve

Me ajzbergje prej malli, projektoj e ndërtoj më të lartat kala

Mbretëroj e sundoj oqeanet si luftëtare e paepur

Fluturoj përmbi yje me mallin tënd në krah.

Dhe fle dhe zgjohem,

Dhe këtu! Dhe atje…!

Dhe bëhem zjarr dhe bëhem akullnajë

Dhe bëhem diell dhe bëhem re!