Ditëlindja ime
Ditëlindja ime është në një ditë vjeshte
Nuk e kisha në dorë të zgjidhja pranverën
Po i kam dhënë frymë ditëve dhe netëve
Për të mos u bërë koha e jeta stinë e egër.
S’kam patur në dorë hartën në vendlindje
As fjalët që më thanë kur isha foshnjë
Kam patur në dorë që t’i bëj të bukur agimet
Të mos sterrohen nga retë e shiu me llohë.
Ditëlindja ime është në stinën e flamurit
Po vetë si flamur i desha ditët që jetova
Nëse një ditë do më shihni të rrëzuar te guri
Mos harroni të më sillni buqeta me aroma
Mos harroni zogjtë që në këngë më futen
Apo një urim që shoqërohet me buzëqeshje
Dua që ditëlindja të ngjajë me lulëkuqen
E ditët të duken si fjongoja mes gërshetave.
Mos harroni një tingull që ditën ma bekon
Me gëzhoja plumbash ma bëni këmbanën
Se dita që i lë vendin ditës që shkon
Dua që të ketë nga ju të gjithë uratën