Dje… dhe sot
Dje, shija e jetës brenda vetes më digjej.
Isha i ri, e ndjeja, më ngrohte e saja flakë.
Por për t’u fikur kurrë s’qëlloi të fikej,
Se shtati i saj i drojtur më dridhej sado pak.
E nuk jetova ëndrra që më diktonte zemra.
Në to s’pata kështjella siç kishin të tjerë plot.
Mbeta ëndrrimtar që s’ndërroi emra-mbiemra,
Që netëve pambarim kërkonte diell më kot.
Dje, përbrenda vetes veç poezi gëlonte,
Dhe vetëm kjo më jepte krahë për fluturim.
Por krahët donin ajër dhe ajri më mungonte.
S’më mbetej veç t’i bëja respekt mendimit tim.
E s’i kërkova atyre që më vinin rrotull:
“Ç’të ish kuptimi i jetës edhe sekreti i saj!?”
Sy mbyllur s’ besoja: as të vërtetë as broçkull,
Si t’isha në mes të botës dhe jo atje në skaj.
Dhe sot…
Dritë e agimit më sjell ëndrra të marra,
Se forcë e moshës m’i mbushi ditët plot.
Kur shoh boshllëk, gjithnjë kam parë përpara,
Më ngjan ëndrra përherë si një furtunë në gotë.
Nuk njoha lodra dashurie lidhur me zinxhira
E pata tërë një jetë për krenari: virtytin – zot.
Ndaj bashkë me shokë, në sa e sa stuhira,
Kërkojmë virtyt ta ngrohë kët’ botën tonë të ftohtë.