Do të jem….libër i hapur-Suzana Rama


Do të jem….libër i hapur

Do të egzistoj edhe ca,
s’dihet sa më ka shkruar Ai,
do tê jetë akoma e pranishme,
buzeqeshja ime dhe loti.

Dhe kur të mos jem më,
në këtë botë martire,
amanet vargjet do të lë,
brënda tyre shumë kujtime.

Do të endet shpirti im në ‘to,
këmbëzbathur si një lypsar,
herë me ndjenjën dashurore,
herë kërrusur mbi një kitarë.

Kalorsiake, e ëmbël fjala,
rrethon bukur dashurinë,
për njerëzit që më rrethuan,
për natyrën, gjithësinë.

Ndokush që s’më ka njohur,
përmes vargjesh, do t’më njohë,
jam e heshtur, zemër përgjakur,
transparente,pa përkorë.

Nëpër vite, të kësaj jete,
jam vetvetja nëpër vargje,
jam e pastër, s’kam të fshehta,
herë me lotë, herë me paqe.

Nëse doni të më njihni,
libër i hapur jam në vargje,
mos më shani, as lëvdoni,
thoni rahmet, u prehtë në paqe.