Do të shkruaj me ujë
Do të shkruaj me ujë.
Mos thuaj
se e shuan etjen fjala
para kohe!
Me pikla shiu
do të ngrej një mur,
pastaj do ta vesh
me frulliza bore.
Do ta lag fjalën
që të ngjitet mbi letër,
ta flijoj
në themele kështjellash
të qelqta.
Do të ngrej kështjella
në rërë,
prej akujsh e lulebore,
që mbahen fort te njëra-tjetra.
Edhe po s’arrita
t’i ngjyros fjalët,
do të mësoj t’i gjej
fjalët prej ujë,
që të ndihem mirë
po ia dola,
të lexoj në vetëtima
çfarë është shkruar.
Ndiqe ëndrrën tënde!
Prej gjumit të thellë befas zgjohem,
ku kisha qenë nuk e di,
ndjej humnera të mendjes kur bie,
humnera të shpirtit kur çohem,
në një fillim të ri…
Humb në asgjë dhe ngushëllohem,
isha asgjë
dhe prej asgjësë po vij…
Pas zgjimit po pres një ikje të dytë,
një ëndërr
që të më nxjerrë në dritë,
në një vend,
ku plotësohen të gjitha profecitë.
Në një tjetër botë,
krejt virtuale që diçka thotë:
Ndiqe ëndrrën tënde,
në gjumë dhe zgjuar,
do të dalësh i fituar.
Dëshmitarë të së djeshmes
Ripërtypen ditët si dele,
sytë mbetën dëshmitarë ripërtypjesh,
retë grisen,
qiellit duken si zhele,
bie shi vjeshtak,
pa vjeshtë,
veç moti mbetet i vërejtur.
Ripërtypen javët cigane,
nën çadra të dala boje,
djerrinash
ku as ferra s’hedh rrënjë,
nuk rriten më lulezoje.
Po vjen një kohë në stinë mbjelljesh,
hedh farë,
e mbinë gurë gjithandej,
sytë mbetën dëshmitarë të së djeshmes,
mbyll sytë,
s’ka më ëndrra as qiej!