Dritaret e zemrës-Sofia Kristo


.Sofia është një krijuese e cila e jeton lirinë si një nevojë, si domosdoshmëri. Vjen një çast kur duhet të zgjedhësh nëse ia vlen të jetosh i mbyllur në kafazin e artë të gënjeshtrës, të rehatisë, të asaj çka të tjerët duan për ty, apo më mirë të provosh e të rrezikosh…

Titulli: Dritaret e zemrës.Autore: Sofia Kristo.Redaktor letrar: Prof.as.dr. Eris Rusi

Botimi parë- 2024

Shtëpia botuese – ADA

Adresa – Rr. Mihal Grameno, P. 32, Ap. 7

Celular – 0682219016

Tiranë – nëntor 2024

© Të gjitha të drejtat janë të autores

Shtypur në shtypshkronjën e shtëpisë botuese “ADA

CIP Katalogimi në botim BK Tiranë

Kristo, Sofia

Dritaret e zemrës : poezi / Sofia Kristo ; red. Eris Rusi. –

Tiranë : Ada, 2024.

104 f. ; 20 cm.

ISBN: 978-9928-823-55-7

1.Letërsia shqipe 2.Poezia

821.18 -1

Parathënie

Prej së largu, dëgjohen tamburët e luftës, zërat e njerëzve që sa vijnë e bëhen më të gjallë, më të ftohtë më të hidhur: “Poezia vdiq! E bashkë me të edhe poetët!”

E ky ogur i zi, i bën jehonë turmës që sa vjen e shtohet, që drejtohen gishtin e fajin kah zemrës, atje ku ndrydhen ndjenjat, e deklaron me të madhe: “Poezia bashkëkohore dhe letërsia, në përgjithësi, po përballen me një krizë të thellë. Ato e kanë humbur lidhjen me publikun e tyre dhe duke mbetur relike e së shkuarës! Të bien idhujt e dikurshëm, sot ata që shkruajnë, janë më tepër se poetët e vërtetë!”

Në këtë mori zërash, kundërthëniesh, me pluhurin që ngrihet mbi kryet e atyre që bëjnë zhurmën e madhe, ja se ku dëgjohet diçka: një tingull, pik, pik, pik… është një bulëz uji, që kryeneçe bie prej së larti, e veshur me një mjegull të lehtë, që nuk të le të shohësh tutje, por që përplaset butë, mbi murin e kundërshtive dhe e njom nga pak. Deri sa krijon një krisje të lehtë, një të çarë të padukshme, ku depërton fillimisht një rreze e vogël, pastaj drita që verbon.

Turma ngrin e gjitha, fjalët fashiten nga heshtja e tani të gjithë mbajnë veshin, dëgjon tingullin” tik-tik-tik” dhe ai ritëm i çuditshëm, është poezia. Që shemb një mur të tërë dhe e ngrin lëvizjen, zhurmën, e atyre që pak më parë, shkaktonin rrëmujën e vërtetë.

Me këtë përfytyrim, ju ftoj t’i afroheni librit me poezi “Dritaret e Zemrës” nga Sofia Kristo. Ky vëllim poetik shfaqet si një përgjigje ndaj kësaj krize, duke ofruar diçka më të thellë sesa thjesht përvoja personale e autores. Ai i jep zë një bote të brendshme që i reziston sipërfaqes së përditshme, duke krijuar një poezi që përfshin ndjenja, pasione, dhe përfytyrime që shkojnë përtej kohës dhe vendit që kapim çdo ditë në jetë. Sofia bën një përpjekje për të kapur atë që është thelbësore në ekzistencën tonë, për të kuptuar më shumë se çfarë duket përpara nesh dhe për të çliruar ndjenjat e thella të zemrës.

Të kërkosh diçka më tepër nga ajo që të ofron realiteti duket të jetë mekanizmi që vë në lëvizje përfytyrimin për ata që e shohin krijimin si ushqim shpirtëror. Poezia e Sofia Kristos përqendrohet në këtë impuls, duke krijuar një botë që nuk kërkon kuptimin e jashtëm, por përkundrazi zhytet në reflektimin e brendshëm. Ky reflektim i qetë dhe meditativ nuk kumbon me forcë, por përhapet si valë e heshtur, të cilën lexuesi e ndien gjatë rrugëtimit të tij me poezinë.

Libri ushqehet me përfytyrimin e së kaluarës, kapet pas jetës personale të autores, mbështetet mbi një trashëgimi letrare, që lidhet me emrin e Pavlina Kristos, poetes korçare e cila nga lart në qiell, tashmë, mund t’i gëzohet aktit krijues të mbesës së saj, Sofias. Krijimi letrar që përcillet në këtë vëllim, përfaqëson një botë të ndërtuar nga mendime të ndërlikuara dhe përvoja shpirtërore që i japin formë jetës së përditshme. Poezia këtu nuk ka moshë – ajo flet për ekzistencën, për përpjekjet për të kapërcyer kufijtë dhe për të njohur më tepër nga vetja dhe bota që na rrethon. Ëndrrat, përfytyrimet dhe pasionet në këtë libër nuk shkëputen nga çështjet ekzistenciale që përfshijnë dashurinë, ankthin, dëshirën dhe kërkim për të kuptuar më shumë.

Sofia Kristo i fton lexuesit të përjetojnë këtë përballje me botën e brendshme, të kuptojnë se letërsia dhe poezia nuk janë vetëm një pasqyrë e realitetit, por një mjet për të ndërtuar një dialog me zemrën. Poezia është një thirrje për të shkuar përtej të dukshmes, për të përqafuar ëndrrën dhe për të rigjetur veten në kërkimin e pandalshëm. Përmes këtij libri, lexuesi nxitet të kërkojë një mënyrë të re për të parë botën, një botë ku përfytyrimi dhe ndjeshmëria të bëhen udhërrëfyes në jetën tonë.

“…Dhe shoh asgjë

Brenda asgjësë së errësirës

Dhe asgjë nuk mund të bëj

Për t’i gjetur fillin

Të ngatërruarit, shpirtit tim.

Duke thënë nën buzë:

“Shih tani me sytë e shpirtit”,

Sytë e jetës do rindezin

Flakën e zjarrtë të fillit…

(Deri atëherë,

Më fal, e dashur, vetja ime…)

Ndiqni pak ritmin e këtyre vargjeve. Atje ku duket sikur gjithçka ka humbur një herë e përgjithmonë, kur errësira është shtrirë mbi botën, mbi njerëzit, dëgjohet sërish ati tingull i çuditshëm: tik-tik-tik… Fjalët që të bëjnë të mbyllësh sytë, e në vend të natës, të kridhesh në një botë tjetër, të veshur nga drita, ku mund të shohësh, të ndiesh, të prekësh, botën e brendshme të autores. Ajo që bën të veçantë këtë poezi dhe gjithë librin “Dritaret e Zemrës” është përpjekja për të rindërtuar lidhjen me vetveten, duke kaluar përmes periudhave të errëta dhe të ndërlikuara. Shpirtit, edhe kur është i mpakur, arrin të shohë përtej, “me sytë e shpirtit”, një akt që lidhet me ringjalljen e vetëdijes dhe shpresës. Drita që vjen nga brenda, nga një luftë e vazhdueshme për triumf, është pikërisht ajo që e bën këtë poezi dhe librin në tërësi një thirrje për të gjetur drejtimin e duhur në jetë.

Thyerja e pasqyrës

Nuk u largova

Se ty s’të pata dashur…

Përkundrazi,

Kisha filluar të mos doja

Veten time.

U tremba,

Kur pashë në pasqyrë

Një qenie të tjetërsuar

Që nuk kishte më emrin tim.

Një shkëndijë guximi

Më përfshiu,

Theva pasqyrën

Duke lënë mbrapa

Fytyrën e panjohur,

Të shkuarën

Dhe çdo kujtim.

Sofia është një krijuese e cila e jeton lirinë si një nevojë, si domosdoshmëri. Vjen një çast kur duhet të zgjedhësh nëse ia vlen të jetosh i mbyllur në kafazin e artë të gënjeshtrës, të rehatisë, të asaj çka të tjerët duan për ty, apo më mirë të provosh e të rrezikosh. T’i jepesh me dëshirë jetës dhe me guxim të thyesh pasqyrën ku është pamja jote sipas të tjerëve, e jo refleksi i asaj çka ti ndien realisht në shpirt. Këtë ndjesi të guximit dhe të kërkesës për të sfiduar monotoninë, Sofia e përcjell jo vetëm te kjo poezi, por edhe në ndalesa të tjera krijuese brenda tekstit. Ngjan sikur ajo e ka të qartë kush dëshiron të jetë në jetë, e këtë sinjal e përcjell si rezonancë tek kushdo që i gjendet pranë, nuk e fsheh nga askush që kërkon të mësojë më tepër rreth kësaj.

Kjo gjendje lirie, të jesh me nevojën për të qenë vetvetja, ndoshta është kushti për të njohur deri në fund sekretin e ekzistencës. Sofia ndjehet e sigurt, gati, të jetë vetvetja, pa kompromis, pa shkëmbyer lirinë e saj, me komfortin e një jete që mbështjellë nga iluzionet shpërfillëse. Ndaj dhe i çel dritaret e zemrës, për lexuesit e saj, që në këtë libër, të mund të ndihen edhe ata pjesë e këtij flladi të lehtë, që fryn nga faqja në faqe, e që është liri, jetë dhe poezi.