Dua në ’25-sën-Klara Shehu


Dua dorën tënde për mbështetje, kur s’ja dal dot.
Dua nga ty buzëqeshje, kur them fjalë plot ose kot.
Edhe kur kam frikë, pranë dua të të kem.
Dua të të prekë, afër teje dua të jem.

Kur mërzitesh me mua, dua t’më japësh çokollatën e fundit në kuti.
T’më përqafosh dua, se kam nevojë për ngrohtësi.
Unë dua të më dëgjosh edhe kur je i lodhur,

dua t’më kuptosh edhe kur flas për hobi.
Vëmendjen tënde dua edhe kur tenxherja digjet,

dhe dua t’më thuash nuk u dogj globi…

Dua të më thuash të mos e ha këtë apo mos e pi atë,

dua t’më thuash edhe të mos ha makarona me fruta deti.
Por ndonjëherë dua të dëndem edhe me patate të skuqura,

e pastaj të qesh se nuk do shëmbet planeti.

Unë dua të më shikosh, t’më përkëdhelësh, t’më puthësh, t’më flasësh…
“Të dua ëmbëlsirë”, e me plot fjalë të bukura dua të më gërgasësh…
Edhe kur je duke punuar, nuk dua t’i respektoj kufijtë e mi.
Dua plot nga këto fjalë të vogla, se më mbushin jetën me dashuri.

Nuk dua dhurata të shtrenjta, s’dua darka madhështore.
Unë dua vetëm ato pak gjëra që shkruajta me shkronja dore.
S’dua sjellje për të treguar se sa shumë jemi të dashuruar.
Por kur pimë kakao, dua të më prekësh flokët që të ndihem e lumturuar.