E dashur.
E dashur, më sill ca zjarr t’ia vë shpirtit tim acar.
E dua nga duart e tua. Mblidh ca thëngjij të ndezur!
Ndoshta ty të përvëlojnë, por mua edhe po t’i gëlltis
një e nga një, nuk e di nëse do të më ngrohin.
E dashur, më sill ca ujë të pi! Me grushte ma sill!
Të shuaj etjen e buzëve të thara.
Edhe ujë deti po të jetë, sillma! S’ka gjë e dashur
edhe pse do të ma shtojë etjen më tepër.
Ndoshta kripa mbetet buzëve të tua dhe atëhere
do të ndjesh etjen që shkakton dashuria e pavaditur
mbi buzët e plasura si tokë shkretëtire.
E dashur, më sill një kothere buke të mbush
barkun e zbrazur që s’u mbush kurrë me bukë dashurie.
Mbeti i uritur si barku i një endacaku, rrugëve të botës.
E dashur, më sill ca mall për së largu,
që të shëroj dhimbjet e shpirtit dhe zemrës.
Sillma me ndonjë zog krahëhapur! Sillma me
ndonjë letër shkruar me lot, ngjyer në puse përvëlimi!
E dashur, më sill ca hënë të më vërë në gjumë
në netët e pagjuma që m’i mbolle ti hapësirës
së ëndërrimit. Argjendin ma bëj ilaç gjumi.
Dhe në fund e dashur, më sill pak erë deti,
pak fllad të ngrohtë të më thajë sytë,
që rrjedhin si ujvarë në çdo stinë.
Më sill e dashur, më sill!