“E vërteta për Nolin”
Përshëndetje miq! Për të gjithë ju që jeni kureshtarë e të interesuar, do të nis së shpejti, postimin në vazhdimësi me pjesë të shkurtëra të librit tim ‘E vërteta për Nolin’. Fakti i padiskutuar asnjëherë më parë në letrat shqipe se si u bë Fan Noli shqiptar dhe një i tillë i famshëm me vetëm pak më shumë se 4 vjet qendrim në Shqipëri, ka një përgjigje në këtë libër.
Shpresoj të jetë një dritare të rejash në reflektimet tuaja për shqiptarin më të lexuar realisht dhe jo të stisur si të tillë me numra shitjesh. Bilancin e një leximi të tillë të vazhduar të veprës së tij e kemi sot edhe përmes një rekordi politik: ndonëse ai vazhdoi të jetonte deri në fund në SHBA me të cilën regjimi komunist ndërpreu marrëdhëniet, vepra e tij, jo vetëm që nuk u ndalua në Shqipëri, por u bë referencë e vetme dhe qendrore e historisë e kulturës shqiptare të periudhës.
Duke sjellë këtu fakte jetësore sipas domethënies së tyre në rrafshin letrar e historik, personal e shqiptar, shpresoj edhe më shumë që të gjeni arsye leximi të ndryshëm, ashtu siç mund të ndodhte në një qoshe shfletimi librash. Njëkohësisht, postimin e posaçëm në rrjetet sociale jeni përzemërsisht të ftuar ta shfrytëzoni për ndërkombime idesh e mendimesh sipas pjesëve e në vazhdim.
Libri ‘E vërteta për Nolin’ është nderuar me çmimin ‘Dritëro Agolli’ si edhe atë të Gazetës ‘Dielli’ me rastin 110 vjetorit të daljes së parë.
Së shpejti!
Më poshtë, shtëpia në SHBA, një foto e rrallë e Nolit në vitet e fundit të jetës si dhe promovimi i librit në Universitetin e Tetovës.