E VËRTETA PËR NOLIN
POSTIMI XVIII
Vijon nga POSTIMI XVII
Kush është ai që shkroi tekstet e Nolit?
Pyetja nuk provokon autorësinë e Nolit, pavarësisht nga mosvënia
ndonjëherë në diskutim shkencor të këtij aspekti, ose vënia keq e
pa kriter në raport me një fakt të pasqaruar të trashëgimisë dhe
dorëshkrimeve të Konicës. Tentimi i vetëm këtu do të ishte të parët
e Nolit si autor përmes formalizimit të profilit të tij publicistik.
Procesi që do të shkonte më tej në formalizimin e fenomeneve
tekstuale në publicistikë, do të lejonte vetëm kësisoj njohjen e
kësaj të fundit në përmasat reale dhe kontributive.
Brezi i viteve ’70, nxënës e studentë të viteve ’80 – ‘90, e kanë
përjetuar Nolin në kohë dhe hapësirë si legjendë, por jo për shkak
të vetëndjerjes-mision të tij. Një sërë arsyesh të tjera, kryesisht
ato të leximit të një autori të lejuar dhe lëvduar nga diktatura, por
që s’kish jetuar fizikisht brenda saj, edhe pse kishte qenë gjallë,
kanë krijuar një legjendë të përafërt me përshtypjet si dhe për
autorë të tjerë, të paqartë për rrethanat sociobiografike, që ishin
shumë të rëndësishme në fakt për lejimin e veprës letrare në atë
kohë. Këta autorë, që nuk e kanë jetën fizike të popullarizuar aq
sa vepra, nuk dihen me saktësi kur kanë vdekur ose ndalur së
shkruari, siç ishte p.sh., edhe Poradeci e Spasse, të futur që me
këtë efekt në tymnajën e legjendës.
Në fakt edhe vetë çasti dhe mënyra e hyrjes së Nolit në skenën
shqiptare, ka gjithë kushtet e perceptimit të tij si një legjendë,
vetëzënë fill në formatin ‘kalorës i Skënderbeut dhe misionar i
Krishtit’ me të cilin tregon se u largua nga fshati shqiptar i Turqisë
dhe vetë Turqia ku nuk gjente dot punë si ortodoks i mësuar. Në
udhëkryqin ku Noli i ngjan pikërisht Shqipërisë, të cilën edhe po ta
kërkonte, s’mund ta gjente aq thjeshtë kur doli nga Kodra e Ibrikut
(Ibrik Tepeja), pyetja nëse hypi në ‘Rosinantin’ e misioneve të tij, pavarësisht ose varësisht nga mungesa e Shqipërisë, nuk siguron
aq thjeshtë të ketë një procedim me përgjigje; dhe kjo jo vetëm
sepse pasionet e adhurimit të heronjve dhe kryeparësisë, të
ndjera gati fizikisht, siç i artikulon vetë, kërkonin terrenin e një të
përditshmeje sa normale për të jetuar, aq në frymën e misioneve
sipas rikthimit në jetë, kur e kujtonin të vdekur.
Vijon në POSTIMI XIX