Epoka e dinozaurëve-Gladiola Jorbus


Epoka e dinozaurëve

Më mbaruan fjalët…

Tek ti u përmbytën

çastet dehëse të lumturisë.

Po iki…

Perënditë verbohen

nga vozitja hënore mbi ujëra të akullema.

I ngjaj muzgut të përgjumur,

trishtimit kapriçoz,

puthjes së lamtumirës.

Edhe dueli zemër – mendje u shua…

nga pasqyrimi gjigantesk i zhgënjimit.

Dashuria u zbeh, u zhbë…

si një krijesë prehistorike.

Për të mund të lexojmë

e ta hasim veç në libra,

njëlloj si epokën e dinozaurëve.