FADIL ABAZI – EKONOMIST I DIPLOMUAR, VEPRIMTAR I DALLUAR LETRAR, ROMANCIER DHE POET I SPIKATUR-Zekirija Idrizi


FADIL ABAZI – EKONOMIST I DIPLOMUAR, VEPRIMTAR I DALLUAR LETRAR, ROMANCIER DHE POET I SPIKATUR

Zekerija Idrizi: vëllimi II “Portrete shkrimtarësh”

Poeti dhe shkrimtari vitias Fadil Abazi është njëri ndër veprimtarët dhe aktivistët më të dalluar në rrafshin e manifestimeve, eventeve, festivaleve dhe konkurseve letrare në komunën e Vitisë. Së këndejmi dhe ai është kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Ramadan Musliu” në Viti.

Fadili është intelektual me një diapazon të thellë e të gjerë dituror dhe personalitet mjaft karizmatik, fjalëpakë e punëshumë. Shih për këtë edhe ai gëzon respekt e konsideratë të lartë te kolegët e koleget e punës, te krijuesit e poetikës, të shkrimtarisë dhe të aktiviteteve letrare jo vetëm në komunën e Vitisë, por dhe më gjerë në Kosovë dhe në gjitha trojet shqiptare në Gadishullin Iliric.

BIOGRAFIA

Fadil ABAZI, u lind më 17.5.1965, në Sllatinë të Epërme, komuna e Vitisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse shkollën e mesme në Viti. Ka diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës.

Me shkrime, sidomos me poezi, merret nga rinia e hershme, duke shkruar kohë pas kohe në gazetat e kohës, si “Pionieri”, “Bota e re”, “Thumbi” e të tjera. Sot, pos me poezi, merret edhe shkrime analitike nga ekonomia, mjedisi dhe politika, ku shumë shkrime zënë vend në gazetat ditore si “Zëri”, “Epoka e re”,” Express”, si dhe në portalet dhe agjencitë informative të lajmeve “Kosovapress”, “Rajoni press” dhe “Telegrafi.com”.

Fadili është laureat i disa çmimeve për poezitë e tij, si:

– Shpërblimi në takimet poetike të Karadakut në Kumanovë, shpërblimi “Doruntina”;

– Çmimi “Rexhep Voka” në Takimet letrare të Sharrit, Tetovë. Poezia e botuar në “Ora Astriti” (VI); – Poezia nuk ka kufi (Festivali mbarëkombëtar i poezisë, Gjakovë).

– Revista letrare “Nositi”, nr. 19 (prozë). Poezi te botuar në Festivalin “Azem Shkreli”, Pejë. Takimet mbarëkombëtare “Azem Shkreli”, 2019.

– Botime në revistën “Agmia”, Gjilan

Ka punuar në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa tani punon në komunën e Vitisë. Duke qenë aktiv në jetën kulturore dhe politike, është organizator i shumë takimeve letrare në qytetin e Vitisë dhe duke qenë menaxher i sukseshëm në shumë detyra me përgjegjësi.

Nga vitet e hershme ’90 ka themeluar biznesin e vet familjar që e ka udhëhequr me shumë sukses. Tani biznesin familjar e udhëheqin antarët e familjes.

Aktualisht e ushtron detyrën e kryetarit të Shoqatës së shkrimtarëve dhe krijuesve “Ramadan Musliu” në Viti.

Jeton në vendlindje.

Vepra të botuara:

“Era e mollës”, poezi, 2007,

“Kur bie muzgu”, roman, 2009,

“Kujtimi me erën e mollës” poezi Ribotim, 2020

“Ëndrra ime e bardhë”, poezi, 2020

“Duke pritur lindjen e diellit” poezi, 2023

“Dymbëdhjetë autorë për veprën e Ramadan Musliut” bashkëautor, 2024.

Ka edhe dy libra në dorëshkrim, një me poezi dhe një roman, që presin së shpejti dritën e botimit.

Uroj që Fadili të na befasojë këndshëm të ardhmen dhe me vepra të tjera perla estetiko-letrare!

Me respekt të thellë, shqiptarisht:

Zekirija Idrizi Shkup