Fjalë zemre për një poezi-Nga Timo Mërkuri


Nga Timo Mërkuri

Rastësisht lexova një poezi të poetit mirditor Preng Maca me fjalët plot trishtim:

“O jetë që ikën dalëngadalë,

Muzikë…pa fjalë!”

Fillimisht e vlerësova si krijim të një çasti trishtimi a melankolie të poetit dhe i nisa një koment, por Prenga më përgjigjet e më thotë se: Nesër do shtrohet në spital dhe të hënën operohet nga zemra’.

Për dikë që nuk e di çdo të thotë operim në zemër mund të interpretohet psh.si një operim apendisiti, por unë që e kam kaluar këtë situatë e ndjeva trishtimin e madh të poetit, të cilin ai përpiqet t’a derdhë në formën e vargjeve. Dhe çuditërisht në vargje fine, artistike me një peshë psikologjike që më detyroi ti rikthehesha komentit tim. Por para se të shprehem për atë, dua të them paraprakisht se:

I.Fakti që Preng Maca shkruan një poezi kaq të bukur dhe meditative në prag të një operacioni në zemër tregon një forcë të jashtëzakonshme shpirtërore të tij dhe një pranim të thellë të jetës me kurbën e saj. Kjo poezi reflekton qetësinë e tij shpirtërore në këto momente të vështira dhe aftësinë për ti përqafuar ato me një ndjesi arti dhe estetike. Në vend që të përqendrohet në frikën apo ankthin e situatës së tij, ai zgjedh të krijojë një vepër që flet për jetëgjatësinë e shpirtit dhe përjetimin e ndjenjave të pastra, duke i dhënë kështu lexuesve një dhuratë shpirtërore edhe në momentet e tij më të ndjeshme. Këto në fakt janë testamente të poetëve me shpirt të madh.

II.Poezia e Preng Macës është një krijim i shkurtër, por shumë i pasur artistikisht dhe sidomos psikologjikisht. Ajo përbëhet nga vetëm dy vargje, çka krijon një formë minimale dhe sugjestive. Kjo thjeshtësi formale është tipike për një stil modernist, ku çdo fjalë ka peshë dhe kuptim të shumëfishtë.

Shikojeni pak poezinë, në atë jeta paraqitet si një proces gradual i ecjes, dhe mjeshtërisht e shumëkuptimshmërisht përdorur figurën e muzikës si simbol vazhdimësie dhe harmonie, ndonëse një muzikë pa fjalë, çka nënkupton një jetë të heshtur pa bujë e zhurmë, një jetë poeti kërrusur mbi një fletorkë ku shkruan vargje, ndoshta të përshkuara nga melankolia a reflektimi. “Muzikë… pa fjalë” është një metaforë që sugjeron një gjendje shpirtërore të thellë, ku ndjesitë dhe emocionet flasin më shumë se fjalët. Kjo i jep poezisë një tonalitet meditativ dhe introspektiv.

Ndaluni pak te fjalët: “O jetë që ikën dalngadalë” dhe përjetoni ndjesinë e poetit që me vargje krijon një ndjesi të përkohshmërisë dhe të një ikjeje, duke e vendosur lexuesin, qetësisht përballë një realiteti universal: përkohshmërinë e jetës.

Veçse këtu gabohet miku im, poetët nuk ikin kaq kollaj. Ata kanë shumë vargje për të shkruar dhe nuk mund t’i lenë të shkrihen në eter. Sigurisht që Prenga nuk do rrijë shumë në spital, e shumta një javë dhe ne do t’a ngacmojnë me këto vargje që ai shkroi, por sigurisht duke i fshehur zilinë tonë për finesën artistike të tyre.

Në fakt poezia ngjall një reflektim të qetë, por njëkohësisht të rëndë mbi natyrën e jetës dhe kohës. Ajo shpreh një pranim të heshtur të ikjes, duke nxjerrë në pah një ndjenjë të brendshme qetësie. Niko Kazanzaqj në çastet e fundit, fjalët e fundit që shkroi ishin: “Nuk kam frikë”. Por kemi kohë për atë çast, së paku dhe një a dy dhjetvjeçarë, ndaj le të kthehemi te poezia. Përdorimi i muzikës pa fjalë sugjeron një ndjenjë vetmie emocionale, që e përjeton çdo i sëmurë, qoftë dhe i rrethuar nga të dashurit e tij. Në këtë vetmi komunikimi verbal është zëvendësuar nga një përjetim i brendshëm dhe personal.

Ndryshe nga një rebelim ndaj ikjes, poezia duket se reflekton një qëndrim të qetë, ku autori, ndoshta, është në paqe me procesin e ikjes së jetës. Ndërsa është e shkurtër, poezia arrin të zgjojë një gamë të gjerë emocionesh dhe mendimesh përmes figurave të thjeshta, por të fuqishme. Ajo është një reflektim mbi kohën, përkohshmërinë dhe ndjenjat e brendshme, duke ndërlidhur artin dhe psikologjinë në një harmoni të heshtur.

III- Këto qenë vlerësim për poezinë, por unë dua të të them vëllazërisht; “Preng, forca dhe frymëzimi yt janë një shembull për të gjithë poetët. Ashtu siç krijon bukuri me fjalët e tua, jemi të sigurt se do të kalosh këtë sfidë me po të njëjtën forcë dhe qetësi shpirtërore. Zemra jote është burim i artit dhe i dashurisë, dhe ne jemi pranë teje, duke të mbështetur me mendimet dhe lutjet tona. Jeta është muzikë, dhe melodia jote do të vazhdojë, për një kohë të gjatë, me një tekst të bukur që do e shkruash vetë ti.”

Shërohu shpejt se kemi shumë për të shkruar.

Ora 24.06.