Fjalor i veprës letrare të Ymer Elshanit-Prof. dr. Begzad Baliu – Prof. dr. Bahtijar Kryeziu


FJALOR I VEPRËS LETRARE TË YMER ELSHANIT

(Fjalësi tematik, trajtformues, stilistik, kulturor dhe semantik, si dhe ai i onomastikës së veprës letrare të shkrimtarit Ymer Elshani)

E kemi përzgjedhur veprën letrare të Ymer Elshanit për një fjalor të leksikut të saj, në një periudhë kur emri i tij, i familjes së tij dhe i trashëgimisë letrare e shkencore të tij janë bashkuar me dramën e madhe e tragjike të Kosovës.

E kemi përzgjedhur veprën e shkrimtarit Ymer Elshani për një fjalës tematik, trajtformues, stilistik, kulturor, semantik e onomastik, sepse duke i bërë një lexim të këtillë veprës së tij (që në të vërtetë bëhet edhe leximi i parë i kësaj natyre në letrat shqipe për fëmijë), deshëm që ta nderojmë veprën e njëkohësisht edhe familjen e tij, në një kohë që kujtimi për flijimin familjar të tij për lirinë e Kosovës është drama më e madhe hyjnore, e cila i bashkon idealet krijuese të tij dhe idealet kombëtare të popullit të tij.

Veprën e shkrimtarit Ymer Elshani e kemi njohur prej viteve ’60, kur ai botoi poezitë, tregimet dhe dramat e para. Ndryshe nga paraardhësit e tij krijues të letërsisë shqipe për fëmijë pas Luftës së Dytë Botërore, si Spiro Çomora, Zihni Sako, Bedri Dedja, Kolë Jakova etj., dhe ndryshe prej shkrimtarëve më të mirë që botonin në këtë kohë në Kosovë, si Rexhep Hoxha, Mark Krasniqi, Anton Çetta etj., të cilët në jetën krijuese letrare për fëmijë kishin hyrë pas një periudhe formimi universitar e madje shkencor, Ymer Elshani në letërsinë shqipe hynte me një moshë krejt të re. Në këtë kohë ai botonte poezitë, tregimet dhe madje dramat e para dhe formohej intelektualisht duke befasuar edhe shkrimtarët më të mirë të kohës.

Vepra letrare e periudhës së dytë i takon kohës kur ai tashmë e kishte ndërtuar portretin e krijuesit dhe atë po e plotësonte me biografinë e studiuesit. Është e kuptueshme prandaj, pse në krahasim me shkrimtarët e kësaj kohe, të cilët do të vazhdojnë të shkruajnë në vijimësinë e traditës, si dhe në krahasim me shkrimtarët për fëmijë, të cilët do të vazhdojnë të shkruajnë duke ruajtur profilin shkencor të tyre, shkrimtari Ymer Elshani do të vazhdojë të shkruajë duke formuar edhe profilin shkencor të tij pikërisht duke studiuar krijimtarinë letrare bashkëkohore për fëmijë. Dhe është e kuptueshme prandaj, pse krijimtaria letrare e tij me temat e saj, me perceptimin bashkëkohor të botës së fëmijëve, me ridimensionimin e kulturës popullore, me rindërtimin e temave universale mbi lirinë, individin, familjen, historinë etj., i tejkalon në disa rrafshe ata.

Duke e njohur trashëgiminë e pasur kulturore të krahinës etnografike të Drenicës, Ymer Elshani nuk mbetej larg shkrimtarëve më të mirë të kohës, si: Mark Krasniqi, Anton Çetta e Rexhep Hoxha, të cilët në krijimtarinë e tyre përdornin lëndë nga etnografia shqiptare (Krasniqi), poezia popullore (Çetta) dhe përralla (Hoxha), por ai duke e njohur edhe krijimtarinë letrare si dije teorike dhe akademike, arriti që këtë traditë ta ridimensiononte dhe të krijonte një perceptim më të lartë estetik për të, në atë përmasë të cilën nuk arriti ta realizonte shkrimtari i lindur po në këtë krahinë etnografike Rifat Kukaj.

Shkrimtari, studiuesi dhe edukatori i shumë brezave Ymer Elshani, me gjuhën e pasur, me temat e zgjedhura dhe modelin e konceptualizimit të tyre do të bashkohet me studiuesit dhe edukatorët, që përveç me krijimet letrare njiheshin edhe për ligjërimin e saj në katedra shkollore e universitare, si: Zihnoi Sako, Bedri Dedja, Qamil Batalli, Agim Deva, Odhise Grillo, Astrit Bishqemi, Bardhosh Gaçe etj., si dhe me shkrimtarët, të cilët krahas kritikës dhe studimit e shkruanin edhe poezinë, tregimin, romanin dhe madje dramën, si: Kolë Jakova, Petro Marko, Naum Prifti, Ismail Kadare, Loni Papa, Rifat Kukaj, Nonda Bulka, Nuhi Vinca, Aleks Çaçi, Hajro Ulqinaku, Gaço Bushaka, Ibrahim Kadriu, Ymer Shkreli, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Zejnullah Halili, Tasim Gjokutaj, Skënder Hasko, Spiro Çomora, Kiço Blushi, Ali Huruglica, Skënder Drini, Skënder Temali, Moikom Zeqo, Gani Xhafolli, Abdyl Bunjaku, Virgjil Muçi, Zymer Elshani, Hasan Hasani, Sterio Spasse, Nikollë Spathari, Jonuz Fetahaj, Shpresa Vreto, Rahmi Tuda, Shpresa Tuda, Dionis Bubani, Xhahid Bushati, Dhimitër Xhuvani, Sazan Goliku etj.

Me poezinë dhe deri diku me tregimin, shkrimtari për fëmijë Ymer Elshani do t’i afrohet një brezi shkrimtarësh që shkruante më afër natyrës së traditës, me romanin i afrohej më shumë grupit të shkrimtarëve që shkruante letërsinë moderne, qoftë me natyrën e kërkimit të temës, qoftë me realizimin e saj, ndërsa me dramën, ai mbetet në nivel të sprovave didaktike.

Arritjet krijuese dhe kërkimet letrare të tij janë të lidhura ngushtë para se gjithash me pasurinë gjuhësore e shprehëse të teksteve letrare të tij. Nëse në periudhën e parë, të viteve ’60, kemi kryesisht gjuhën e pasur të traditës popullore (nga anekdotat, përrallat, legjendat, mitet, etnografia etj.), në krijimtarinë e fazës së dytë, të viteve ’70, vepra letrare e tij është e pasur edhe me terma shkencorë të fushave të ndryshme diturore: të astronomisë, biologjisë, botanikës, gjeografisë, zoologjisë etj., po edhe të toponimisë, fantastikës shkencore, botës shpirtërore më shumë se sa botës materiale, emrave imagjinarë, më parës e sa emrave realë, lirisë universale më shumë se sa lirisë kolektive të popullit të tij etj. Duke i parë çështjet në kontekst të universit, më parë se sa në kontekstin e botës në të cilën jetonte, ai arriti që veprën letrare, gjuhën e saj, si dhe përbërësit tematikë e leksikorë të saj, t’i bëjë vlera sa kombëtare po aq edhe universale. Duke e zgjeruar imagjinatën për lirinë kombëtare, në veprën e tij personazhet jetojnë jo vetëm në Drenicë e në Kosovë po edhe në Lindje e Perëndim, ndërsa duke krijuar modelin universal të personazhit të veprës së tij, edhe emrat e tyre janë jo vetëm Bashkim, Mark e Dhimitër po edhe Pikëpyetje, Pesëshe e Yll. Letërsia shqipe për fëmijë njeh shumë realizime të rëndësishme letrare e artistike, po zor të gjejmë shembull më të mirë të transformimeve historiko-letrare, artistike e gjuhësore më të arrira se në veprën letrare të Ymer Elshanit. Këtu e ka sfondin edhe ky vëllim i fjalësit tematik, trajtformues, stilistik, kulturor dhe semantik, si dhe ai i onomastikës së veprës letrare të tij.

Ndryshe nga shkrimtarët e brezit të artë të viteve ’70, të cilët vazhdojnë të shkruajnë dhe botojnë edhe më tej, pas demonstratave të vitit 1981, Ymer Elshanit do t’i ndalohet botimi i veprës letrare dhe studimore dhe do t’i ndalohet t’i vazhdojë studimet shkencore të doktoratës në fushë të letërsisë për fëmijë. Ymer Elshani ishte nipi i shkrimtarit dëshmor të Brezit ’68, Fazli Grajçevcit, i cili nuk mund të qëndronte indiferentë ndaj Lëvizjes Kombëtare të vitit 1981, prandaj pushteti i kohës e largoi nga shkolla, nga ‘atmosfera festive’ e nxënësve ku ai kishte vatrën e fabulave të veprave të tij dhe ia ndaloi botimin e veprave letrare, me bindjen se kështu do ta shuante edhe përkushtimin krijues të tij. Përkundrazi, Ymer Elshani ishte formuar nga një traditë e madhe letrare e iluministe e Rilindjes Kombëtare, vinte nga një familje me traditë po kaq iluministe e Lëvizjes Kombëtare pas Luftës së Dytë Botërore, kishte një formim shkencor mbi traditën letrare të popujve të mëdhenj etj., prandaj ishte vetëm një naivitet i një pushteti, ideja që një njeriu me kujtesë kaq të fortë historike familjare dhe krahinore, duke ia ndaluar botimet, mund t’ia fshinte kujtesën krijuese.

Ymer Elshani vazhdoi të shkruante dhe të mbushte fletoret e madje t’i lidhte botimet e shkruara me makinë, me besimin e plotë se liria e idealizuar në krijimtarinë letrare do bëhej e vërteta historike e lirisë së popullit të tij. Për një dekadë të tërë të viteve ‘80 ai arrin të botoj vetëm dy vepra letrare, por do të jetë krejtësisht i mënjanuar nga jeta letrare e intelektuale e kësaj periudhe. Ymer Elshani do të përfshihet në jetën krijuese të viteve ’90, kur edhe do të kthehet në atmosferën e ambienteve shkollore të vendlindjes së tij. Megjithëse nuk duket shumë i pranishëm në jetën politike, ai në të vërtetë ishe një simbol tipik i një brezi që po e përgatiste kryengritjen e armatosur kundër regjimit serb, mbështetur në traditën historike të Drenicës, për të cilën madje po i shkruante dy a tre vepra historike, deri më tash të panjohura. Në këtë rrjedhë edhe përpjekjet e regjimit serb për të shuar, përkatësisht shkëputur këtë traditë, janë të lidhura ngushtë me shuarjen e plotë të familjes së tij. Nuk është e rastit që pas vrasjes së të gjithë anëtarëve të familjes së tij, një ditë më vonë policët serbë e gjetën dhe e pushkatuan edhe nënën e tij, një shembull unik në të gjitha krimet serbe gjatë Luftës së Kosovës.

Kjo është edhe arsyeja pse vetëm së fundi është botuar pjesa më e madhe e veprës së plotë në fushë të krijimtarisë letrare dhe shkencore, me shpresë se në të ardhmen do të botohen edhe dorëshkrimet dhe do të përmblidhen tekstet e botuara në shtypin për fëmijë në Prishtinë dhe sidomos në Shkup.

Tashmë janë botuar vëllimet me poezi për fëmijë dhe poema: Çka ëndërrojnë lulet (1971), Anija e miqësisë (1972), Unaza magjike (1980), Kalorësi i bardhë (1987), Ylli ëndërrimtar (2000), Përralla për ylberin (2000), Zogu i lirisë (2001), Gjelastreni mendjelehtë (2001), Le të vijë në Sharr pranvera (2002); vëllimet e tregime për fëmijë: Ishulli i lumturisë (1973), Loti udhëtar (1977), Guri i çmueshëm (1977), Plaku me violinë (1984), Përjetimet e Bardhoshit (1989), Vajza e Diellit (2000), Gjeli i kuq (2000), Flokargjendta (2004), Njohja e trimave (2016); si dhe romanet për fëmijë: Ndodhitë e Hundëkarrotës (1971), Aventurat mbi trotinetin e vjetër (1975), Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (2008).

Vepra letrare e Ymer Elshanit përveç me pasurinë tematike, artistike dhe estetike, është e pasur edhe me përbërës të tjerë gjuhësorë, sikur janë: toponimet, antroponimet, patronimet, fjalë me struktura të pasura fjalëformuese (parashtesa, kompozita, prapashtesa etj.,) me emra dhe mbiemra të trajtave të pasura gramatikore, me numërorë, përemra dhe folje, me ndajfolje, lidhëza, pjesëza, parafjalë dhe madje pasthirrma, të cilat nuk i gjejmë shpesh në letrat shqipe.

Toponimet dhe sidomos patronimet në veprën letrare të Ymer Elshanit letërsia shqipe nuk i ka njohur deri më tash, përjashto toponiminë, antroponiminë dhe patroniminë në veprën e Rexhep Qosjes. Në letërsinë shqipe për fëmijë pasuria onomastike është pothuajse e papërsëritshme. Askund, te asnjë autorë tjetër, në letërsinë shqipe për fëmijë nuk janë toponimizuar, antroponomizuar dhe patronimizuar fjalët e shqipes si në veprën letrare, tregimtare e romanore të Ymer Elshanit.

Krijimtaria letrare e Ymer Elshanit viteve të fundit u bë objekt leximi, vlerësimi e studimi për disa tema diplome, në mënyrë të veçantë nga studentët e Fakultetit të Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Ky kërkim prej shumë vitesh u bë shtytje që bashkë me Profesor Bahtijar Kryeziun të marrim nismën për përgatitjen e një vëllimi leksikor të veprës së tij letrare. Në këtë rrjedhë ne kishim përkrahjen edhe të studentëve, kryesisht nga krahina e Drenicës (Ajete Maloku, Alekta Rrahimi, Leonita Plakiqi, Euridika Sadiku, Arlinda Lahi, Era Sallahu, Jetlira Bytyqi, Albin Vila, Dionisa Mehmetaj, Majlind Isufi etj), të cilët kontribuan në identifikimin e fondit dialektor të këtij leksiku. Duke ju shprehur mirënjohjen tonë për përkushtimin e tyre në realizimin e kësaj vepre ne besojmë gjithashtu se ata do ta vazhdojnë këtë traditë leximi, studimi e kërkimi edhe në shkollat ku do të mbajnë mësimdhënien, gjithnjë në traditën iluministe, shkencore e patriotike të Ymer Elshanit dhe veprës së tij.

Le të jetë kjo vetëm vepra e parë e një kërkimi shumëdimensional në veprën letrare dhe jetësore të Ymer Elshanit, sigurisht jo vetëm në dimensionin gjuhësor të saj.

Prishtinë-Gjilan, 2021