FRYMA ARBËRESHE DHE ESTETIKA E LARTË E NJË PROZE MODERNE
(Anton Nikë Berisha, Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar. Botim i dytë me ndryshime, SHB Faik Konica, Prishtinë, 2024)
Anton Nikë Berisha, shkrimtari dhe studiuesi erudit i letërsisë shqiptare, profesori i shquar universitar, qysh në paraqitjet ose fillesat e para poetike ka paralajmëruar një emër dhe një zë që në linjën serioze letrare, shpejt do të zërë vend ndër emrat më të njohur të letrave shqipe, ndër vlerat që do ta sfidojnë kohën dhe vetë instalimin zyrtar të hierarkisë së vlerave kulturore, ku shpesh nuk janë respektuar sa duhet vlerat artistike dhe estetike, por duke përfillur shije dhe interesa të tjerë të faktorëve jashtëletrarë. Qasja serioze ndaj gjuhës, qëmtimi me durim i fjalëve të nevojshme për stilema që i japin figuracion tekstit, kujdesi ndaj qenësisë gjuhësore shprehëse, stili novator, prezantimi i artistikes në secilin zhanër letrar dhe qasja analitike e tij ndaj prodhimit letrar të të tjerëve, sipas kritereve artistike e estetike, që nuk bën kompromis me parimet e vjetra artistike të letërsisë, kundër idealizimit të teksteve letrare që nuk mbrujnë më vete masën artistike, pavarësisht tematikës dhe qëllimeve të autorit, pra të gjitha këto e të tjera që janë analoge me këtë qasje e karakerizuan autorin Anton Nikë Berisha që nga gjysma e dytë e shekullit 20 e deri më tash kur po përmbyllet çereku i parë i shekullit 21 dhe kur emri i tij ka kaluar kufijtë nacionalë të letërsisë shqiptare.
Pra, rezultat i një qëndrimi dhe përkushtimi të tillë ndaj artit të fjalës është edhe romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” (botimi i parë në vitin 2002 nga SHB Faik Konica, Prishtinë; botimi italisht në vitin 2013 nga SHB Luigi Pellegrini, Kozencë, përktheu Albana Alia), pra, një tekst ndryshe që ngërthen vlera të mirëfillta letrare dhe do të komunikojë gjatë me lexuesin duke zbërthyer dramën psikologjike të personazhit Gjin Bardhela, përmes së cilës dramë dhe dhimbje përgjithësohet drama dhe dhimbja e secilit. Në retrospektivën dhe perspektivën artistike të Gjin Bardhelës lexuesi, jo vetëm ai shqiptar, lexon në mënyrën më të mirë për shpirtin e të kaluarën e arbëreshëve, lidhjen me traditat nacionale në Arbëri, por edhe frikën se mos koha dhe sfidat politike e ekonomike po shkaktojnë një qasje jo të duhur ndaj këtyre vlerave dhe kultivimit të tyre. Në shqetësimet e Gjin Bardhelës se mos vërehet ndonjë shkallë zvetënimi në veprimet dhe praktikat e tij jetësore krahasuar me qëndrimet e prindërve ose të brezave të mëparshëm, secili prej nesh ndiejmë shqetësimet tona, një katarsë morale e intelektuale që shkaktohet nga leximi i kujdesshëm e nga përmasa artistike e shtresave të tekstit të romanit.
Pastaj këtë shqetësim lexuesi ka të drejtë ta shtrijë edhe në përqasje me të gjitha fushat e zhvillimeve shoqërore sot, të karakterizuara me rënie e zvetënime morale e qytetare, por të cilave, për fat të keq u thuren himne zyrtare, mbase edhe për shkak të një sugjestionimi të përgjithshëm përmes disa formave e praktikave të regjimeve të përmbysura që në mënyrë të rafinuar arrijnë të instalohen në demokracinë e brishtë ku instrumentalizimi i një pjese jo të vogël të intelektualëve nga pronarët e demokracisë gjithashtu jep frytet e veta në këtë drejtim, në zgjerimin e sinorëve të fushës së rënies morale, gjë që shkakton rreziqe në perspektivat jo vetëm kulturore.
Megjithatë portreti artistik i Gjin Bardhelës ngërthen më vete dramën, dilemat dhe vizionin kërkimtar të secilit njeri që ka si qëllim në jetë të njohë veten dhe paraardhësit, ta çmojë përmes frymës kritike të kaluarën personale e kolektive dhe të lërë gjurmët e veta në kohën dhe mbi tokën ku gjallon, normalisht, duke çarë jo lehtë, shpesh me krahë të këputur, detin e jetës, ashtu sikur Gjin Bardhela i Ndre Bua Petës me varkën e tij Dejtin Tonë, duke marrë forcë fizike nga kujtimet e shpirtit kur kujton veten e vet si fëmijë me babë Frangun në det, i cili duke ia mësuar të fshehtat e detit dhe emrat e ndryshëm të peshqve, por edhe mënyrat si zihen ata, ia jep mësimet e para për të ecur vertikalisht në jetë, për t’u përballuar me vështirësitë dhe për të lënë vazhdën prapa, sikur varka e tyre e moçme në detin e trazuar. Fuqi për duart e tij që të rrahin rremat e varkës më shpejt Gjin Bardhela merr edhe nga kujtimi për Vajzën e Dejtit, e cila paraqet një ndërtim artistik fluid nga ana e autorit deri në lakuriqësinë e saj fizike para Gjinit, mbase që lexuesi ta lexojë më mirë sinqeritetin dhe shpirtin e saj, ashtu siç lexohet më mirë një qiell i pastër pa re dhe një det i qetë pa dallgë.
Një ballafaqim që i duhet shpesh njeriut në jetë: të jetë vetëm me vetveten dhe vetëm me ndërgjegjen. Natyrisht, këtu hetojmë qëndrimin human të autorit ndaj rëndësisë së përjetshme që ka hyjnorja, shpirtërorja dhe artistikja që ushqen dhe ngre lart ndërgjegjen qytetare. Zaten, këta komponentë janë faktorë të rëndësishëm për krijimin e traditës dhe të vlerave me të cilat njeriu ndihet më i sigurt në rrugëtimin drejt horizonteve sfiduese të kohës së ardhme ku gjithnjë më shumë se sa sot ka humanizëm, mirëkuptim dhe sinqeritet.
Sinqeriteti, dashuria dhe njerëzorja janë tipare të veçanta të personazheve të romanit dhe këto tipare, cilësi e virtyte të trashëguara paraqiten përmes një lirizmi të rrallë veshur me figuracion dhe imazhe që lënë mbresa për një kohë të gjatë te lexuesi. Nëpërmjet këtyre tipareve këto personazhe e ushqejnë dhe e mbajnë gjallë kujtimin, traditën dhe vitalitetin arbëresh në dheun e huaj “ku në oborre e ara të tyre mbollën dheun e atdheut”, siç shprehet kaq bukur autori.
Lexuesin nga fillimi deri në fund të romanit e përcjell “flaka e bishtukut në shandanin plak” që ndodhet në dhomën e Gjin Bardhelës, aty ku fillon zbërthimi artistik i dramës së tij shpirtërore, aty ku fillojnë vegimet e tij, kujtimet, bisedat me të vdekur dhe me orën e shtëpisë (gjarprin). Frika e Gjin Bardhelës nga shuarja e flakës së bishtukut ngërthen më vete konotacione nga më të ndryshmet që lidhen me krijimin e diçkaje të bukur, me besëtytnitë e të parëve, por edhe me vdekjen e cila mund të vijë menjëherë pas fikjes së xixave të fundit të “bishtukut në shandanin plak”. Me dritën dhe errësirën (mugëtirën) mbi fshatin e Maqit fillon e mbaron romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar”. Shpresë dhe shqetësim për gjakun arbëresh dhe perspektivat e tij? Të dyjat në masën e duhur.
Edhe në dhomën e Gjin Bardhelës, edhe në dhomën e De Radës ka një dritare (dritësore) me pamje nga Dejti Jonë, dhe nga këto dritësore të dyve u hyjnë frymëzimet, kujtimet dhe bukuria e Dejtit Tonë i cili nën sipërfaqe fsheh tragjedinë e dikurshme të eksodit të madh arbëresh pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Kujtime të tilla përshkallëzojnë dramatizmin në shpirtin e trazuar të Gjin Bardhelës: “Ndoshta po ndodh përmbytja?- psherëtiu dhe pa një vistër anijëzash, varkash e trapesh dhe një rrëmujë njerëzish, që lëviznin pështjellueshëm. Pas pak dëgjoi zëre e copa fjalësh, si gurgullimëza rrësheu. Ato i vinin si plagë kohësh dhe hynin nëpër plasjet e dritares si oshtima të liga” (f. 19).
Gjin Bardhela nga fryma e dritësores së dhomës së tij vazhdon të dëgjojë zëra të asaj kohe të largët, zëra e ofshama që i ruan ende Dejti Jonë: “Nisemi! Ky është fundi ynë ose fillimi i fundit. Një zvarrisje e gurit të Sizifit nëpër shtrëngatë. Hapi ynë është, në të vërtetë, kalorimi i hijes sonë” (f. 21). Pastaj, si oshtimë deti, Gjin Bardhelës i kumbojnë në vesh zërat dhe jehonat e largëta të këngës së thurur me fije dhimbjeje: “Atje kam…/të mbuluar/ të mbuluar/nën dhé…” Është refreni dhe ritmi i dhimbjes dhe i kujtimit të përhershëm arbëresh nga dita në ditë e nga viti në vit për Arbërinë, atdheun e të Parëve.
Është e njohur se në largimin dramatik të arbëreshëve nga atdheu i tyre stërgjyshor, arbëreshët nuk mund të merrnin me vete shumë gjëra të familjes e të vendlindjes, por, mbi të gjitha, ata morën me vete pasurinë më të çmueshme: gjuhën shqipe, rapsoditë, rrëfimet, përrallat. Anton Nikë Berisha përmes tekstit letrar i rrëfen lexuesit se arbëreshët morën me vete trashëgiminë shpirtërore, doke e rite të lashta, po edhe dhé të atdheut që ta hidhnin mbi varret e para që hapën në dheun e huaj dhe, vazhdon rrëfimi artistik i autorit, kur drudhëzat e këtij dheu u harxhuan, arbëreshët filluan ta mbillnin dheun e atdheut, si farën e pavdekshme, në oborret e shtëpive e nëpër arat e tyre që ta hidhnin sërish mbi varrin e arbëreshit që vdiste që ai të prehej i qetë nën ata pak dhé të atdheut.
Fryma arbëreshe fillon nga titulli dhe shtrihet në gjithë arkitektonikën artistike të romanit, ku vend të veçantë zë figura e Jeronim de Radës, të cilit përmes personazhit të Gjin Bardhelës autori ia jep çmimin dhe mirënjohjen për veprën e madhe artistike e patriotike në shërbim të arbëreshëve dhe shqiptarëve në dritën e qytetërimit evropian. Këtë çmim dhe entuziazëm lexuesi e lexon në vallëzimin artistik të veprave të De Radës, ku shquhet pjesëmarrja në valle edhe e Gjergj Kastriotit (Skënderbegut të pafanë) dhe e trimave të tij kordhëtarë. Pastaj takimi i Gjin Bardhelës me De Radën në Kishën e Maqit dhe pranë lisave të tij, ku linte të shkruara vargje arbërisht në “pergamenat e gurtë” (gjetje e qëlluar letrare) që përbën një linjë të veçantë në tekstin e romanit. Pastaj kumbimi i valljeve të bukura të kopiljeve arbëreshe rrugëve të Maqit dhe i valles së vrullshme të erës që “rrëzoi hijen e ljisit”, siç shkruan De Rada në kangjeljen 30 të “Këngëve të Milosaut” të botuar më 1836, zgjojnë në shpirtin e Gjin Bardhelës ndjesi të veçanta në shfaqjen e të cilave lexuesi ndien edhe shqetësimin për zbehjen e frymës arbëreshe nga brezi në brez, shqetësim që kishte filluar edhe te vetë Jeronim De Rada.
Gjin Bardhela i Ndre Ndue Petës kalon nëpër gjendje e ndjesi të qarta e të paqarta psikologjike, përjeton katarsë dhe ekstazë shpirtërore në relacionin me realitetin dhe sidomos në relacionin me ritet, vallet, legjendat, besëtytnitë, magjitë dhe mitet arbëreshe. Këtë gjendje të protagonistit autori e realizon në aspekte artistike përmes një figuracioni të zgjedhur me kujdes, përbërë nga krahasime, metafora, personifikime, epitete, paralelizma e togfjalësha që ndërtojnë bukur shtresat e tekstit. Në këtë sfond hyjnë edhe nocionet që autori i ngre në nivel të figurës letrare si: hijet e muzgut, Kisha e fshatit, ora e shtëpisë, mugëtira, flaka e bishtukut në shandanin plak, ulliri plak, lumi i madh i Maqit, lumi i Shën Mitrit, varka, vajza e dejtit dhe vetë Dejti Jonë, por edhe fjalët e tharmit arbëresh si: dejt, dritësore, gjindje, vallje, kezë, ligj, kangjel, tatëmadh, kopilje, vore etj. paradigmat e të cilave ushqejnë stilin dhe thurin fragmente lirike të një estetike të lartë.
Zbritja e Gjin Bardhelës në botën e të vdekurve (në botën e të shumtëve), shoqërimi i tij atje nga nënë Dranja, babë Frangu dhe gjyshja Mri, përshkrimi plot dramamtizëm, përbën boshtin e procedimit artistik. Përmes një stili novator e të një guximi krijues të jashtëzakonshëm autori protagonistin dhe lexuesin e përball me retrospektiva që mbrujnë çështje e fate të ndjeshme dhe me ndikim në traditat dhe perspektivat e njeriut tonë, siç janë: ringjallja e Konstandinit nga varri për shkak të besës që kishte dhënë, hakmarrja dhe e drejta zakonore, marrëdhëniet e qytetarit me shtetin dhe pushtetin, çështje këto brenda të cilave lexuesi përqas fate e kohë të ndryshme, heton poshtërimin e gruas që nga ngjizja e mitit dhe zhvillimi i mitologjisë etj. Jepet fuqishëm me koloritin e stilit sidomos qasja e drejtë e kanunit ndaj gruas dhe poshtërimi që iu bë asaj nga mekanizmat e shtetit e të pushtetit. Matë Mazreku do ta vrasë të birin e Balës së Gjon Ukë Shtjefnit të Kolë Ndrekës, nga pozita që kishte zënë mbi oborrin e Pllum Gjetës, duke pritur ndonjë mashkull të tij t’i dalë para pushkës (gratë dhe fëmijët nuk vriten për gjakmarrje) sepse ia kishin vrarë djalin.
Mata e vrau të birin e Balës së Gjonit, sepse ky ia poshtëroi gruan hasmit të tij, Pllum Gjetës, pak çaste pasi ajo ia çoi bukën në fund të oborrit ku ai po kosiste barin, sepse burrat e shtëpisë nuk mund të dilnin se nuk kishin besë. Kjo është qasja e kanunit ndaj gruas, qasje që ndriçohet e lartësohet edhe më kur krahasohet me qasjen poshtëruese të gruas së burgosur politike, e cila edhe në varr ka frikë mos e përgjon kush. Ky personazh, si në kalvarin e mundimeve të Sizifit, detyrohej të ngjiste lart e të zbriste poshtë një gur të rëndë, nën kërbaçin e rojave të burgut, e kur lodhej shumë mundohej të mblidhte fuqi fizike e psikike nga dashuria për djalin, të cilin ia mbanin afër litarit që t’ia varnin nëse ajo e lëshonte gurin pa arritur në majë ose pa zbritur poshtë: “Mendoi: rojat dhe eprorët e burgut janë të gjakut e të gjuhës së saj. Pse vallë sillen kështu?” (f. 113). Një citat tjetër lidhur me këto skena (dialog mes Gjin Bardhelës dhe babë Frangut):
“- Janë kryesisht të burgosurit politikë, e kupton. I burgosën pushtetarët.
– Njerëzit e pushtetit?…
– Ua veshën fajet, thua?…
– Pushteti i krijoi fajet dhe fajtorët. Kështu e donte puna…
– Kjo është lojë e ndyrë.
– Për ata që e pësuan, por jo edhe për ata që i bënë.” (f. 110).
Intuita e Gjin Bardhelës në përqasje të tilla të fateve të grave në përgjithësi ngre dyshime intelektuale për të gjitha poshtërimet që iu bënë gruas nga sundimi i mashkullit, duke filluar nga shitja e tyre si mall, nga murosjet nëpër ura e mure kështjellash, për të fshehur mizorinë e sundimit mashkullor, etjen për pushtet, qoftë edhe brenda familjes, dhe rënie të tjera të moralit njerëzor me kinse paralajmërimin dhe kumtin e fatthënave, duke vënë në pah incestin fiktiv për të fshehur të këqija të tjera të realitetit mbi të cilin pastaj do të lulëzojë miti e mitologjia (për flijimin në themelet e Urës së Fshejtë Gjin Bardhela (në f. 94) shprehet:
“Ishin gjindja që nuk dëshironin ndërtimin e saj”; kurse pak më tutje në tekst jepet ndjeshmëria shpirtërore e Gjinit ndaj fatkeqësisë së gruas së murosur dhe djalit të saj bonjak, ndjeshmëri që ka hyrë edhe ndër ëndrrat e tij).
Për gjuhën dhe poetikën gjuhësore të këtij romani mund të bëhet një analizë e veçantë. Lexuesi i vëmendshëm, qysh në fillim të faqes së parë, vëren përdorimin e fjalëve të ndërtuara në një poetikë të veçantë: “Hijet e muzgut të lodhur luanin padjallëzisht me jehonën e gurgullimës së Lumit të Madh të Maqit”. Vetë fjala “hije” këtu lexohet nga lexuesi në përqasje me kuptime të ndryshme dhe gjendje jo të njëjta emocionale ku hyn dhimbja, fanitja, ëndrra, vazhdimësia, mosndërprerja.
Besa, dejti (që e lidh me atdheun e të Parëve) dhe gjakimi për ta njohur vetveten dhe botën që i përket, mishërimi me traditën arbëreshe dhe arbërore, janë disa nga përbërësit, fjalët çelësa të rrëfimit dhe të idesë së romanit. Këto arrijnë të përcjellin shkallë tjetër të emocionit kur autori i përdor në një formë të veçantë shkrimore: “Beeesaaa”, “Deeeejti”. Gjendje dhe zhvillime të tjera dramatike reflekton flaka e qiririt në dhomën e Gjin Bardhelës në krahasim me flakën e qirinjve që ka ndezur nëna mbi varrin e Konstandinit për t’ia kujtuar atij besën e dhënë. Togfjalëshi “bulat e gishtërinjve” është përftim origjinal i një stileme në krahasim me përdorimin tjetër të zakonshëm të fjalës “bulë” ose të togfjalëshit “bulat e pemëve”. Fjala “ligj” gjithashtu përdoret nga autori në kontekste e në kuptime të tjera të situatave të dialogut ndërmjet personazheve, nga sa jemi mësuar me përdorimin dhe kuptimin e zakonshëm të kësaj fjale.
Shkurt, një vepre të arrirë letrare, siç është romani “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” nuk i mjafton vetëm fusha e gjuhës normative, as vetëm kuptimi i fjalës sipas fjalorëve normativë gjuhësorë; autori ka qëmtuar dhe ka mbledhë visarin gjuhësor nga areali i shqipes, nga pasuria e saj e shtrirë në dialekte e të folme të ndryshme, qoftë edhe nga varianti letrar i gjuhës arbëreshe që përdoret aktualisht në të folmen ose në shkrimin e arbëreshëve. Pra, nëse kemi arrirë shkallë të ndryshme emocionale gjatë leximit, nëse në kujtesën tonë na janë thadruar imazhe të bukura e të ndjeshme poetike, nëse ndiejmë dëshirën që t’i kthehemi një leximi të dytë e të tretë të këtij romani, kjo vjen pikërisht për shkak të nivelit të lartë poetik të gjuhës së kësaj vepre.
Fryma arbëreshe, qasja dhe çmimi meritor ndaj personalitetit poliedrik të Jeronim de Radës, stili novator, të shprehurit stilistik të niveleve të larta dhe guximi krijues i autorit për të sfiduar pjesë nga e kaluara dhe nga e tashmja për hir të perspektivave humane dhe realizimit të identitetit njerëzor- të gjitha këto kanë bërë që romani i shkrimtarit Anton Nikë Berisha “Gjin Bardhela i arbresh & Etja e gurëzuar” të shpërfaqet para lexuesve dhe para kritikës letrare si njëra ndër pak veprat më të mira të letërsisë sonë shkruar e botuar në çerekun e parë të shekullit 21.
Klinë, shtator – tetor 2024