Gurgullimë ëndrre
Muzgëtira zbriti
mbi kaktuset gjembake.
Etjen e buzëve
nuk mund ta shuash brenda meje,
në një botë surreale
ku s’kemi nevojë –
as për prekje, as për ujë, as për dritë.
Përbindëshat e heshtjes
ulërijnë nga lokomotiva e kohës.
Dhe gishtërinjtë e përbormë
lënë gjurmë mbi pentagram.
Pulëbardhat mërguan diku larg…
Atje – ku imagjinata e poetëve
s’ mbërrin dot…
atje – ku hëna
derdhet në amforën romake,
si gurgullima e një ëndrre
mbi vargjet e Ovidit.