Irma Kurti boton librin e 30-të në gjuhën shqipe


Titullohet:“Bashkëbisedim me poetë dhe shkrimtarë nga bota” dhe përmban 20 intervista.

Vepra botohet në Prishtinë të Kosovës me logon e shtëpisë botuese “Lena grafik”. Imazhi i kopertinës është i fotografit Biagio Fortini.

Në parathënie, autorja shkruan: “Ky është libri i dytë me publicistikë pas atij me titull “Copëza shënimesh nëpër rrugët e shkreta” (2013), me logon Botimet Morava. Bëhet fjalë për një tjetër pasion timin, atë për gazetarinë, fillimet e të cilit janë shënuar qysh përpara viteve ‘90 me botimet në mënyrë të rregullt në gazetat “Shkumbini” në Elbasan dhe “Bashkimi”, si dhe më pas, gjatë punës si gazetare, në disa organe të tjera shtypi në Shqipëri, duke filluar me gazetën “Mësuesi”, për të vijuar më tej me “Alternativa SD”, “Dita informacion” etj. Në këtë përmbledhje kam përzgjedhur 20 intervista të kryera gjatë periudhës 2021-2024. Janë autorë që më kanë tërhequr me krijimtarinë e tyre, po sidomos me punën këmbëngulëse, me pasionin dhe përkushtimin në fushën e kulturës. Intervistat janë botuar në mënyrë periodike në gazetën “Nacional” në Shqipëri, si dhe në revistën “Orfeu” në Kosovë. Po ashtu, janë botuar edhe në gjuhën italiane, në revistat “Oceano News”, “Alessandria today” dhe “Saturno Magazine”. Në gjuhën angleze janë botuar në revistat “Poetryzine”, si dhe “Ila Magazine” në ShBA, në blogun “Worldwide Writerweb” si dhe gazetën “Quick World News” në Kosovë.

Kam pasur fatin të bisedoj me disa personalitete nga bota e kulturës dhe të zbuloj tek ata jo vetëm pasionin, ndjeshmërinë, kontributin e pashoq në përhapjen dhe publikimin e artit të të shkruarit, por mbi të gjitha modestinë.”

Autorët e intervistuar janë: Ana Stjelja, Carole Matthews, Carolyn Martin, Duane Vorhees, Daniela Andonovska, Elisabeth Esguerra Castillo, Germain Droogenbroodt, Huguette Bertrand, Hannie Rouweler, Hiram Larew, Laura Stamps, Luis Cruz Villalobos, Michael Lee Johnson, Naila Hina, Norbert Gorà, Robin Barrat, Rosy Gallace, Stanley Barkain, Tamikio L. Dooley dhe Zlatan Demirovic.

Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e teksteve të këngëve, gazetare dhe përkthyese. Ajo ka botuar 30 libra në gjuhën shqipe, 26 në italisht, 16 në anglisht dhe 2 në frëngjisht. Ka përkthyer 21 libra të autorëve të ndryshëm si dhe të gjitha librat e saj në gjuhën italiane dhe angleze. Librat e saj, përveçse në Shqipëri, janë botuar në 17 vende të botës.