JERONIM DE RADA
Në të vetmen lulishte mbetur,
unë dhe DE RADA përballë,
kënga e parë e dritës së Rilindjes
Fjalën e shqipes dhe penën e artë.
Prehet një lavdi
në lavdinë e shkëmbit ku la rrënjët,
rrugë qumështi
në dy brigje lidhur,
emër i ndezur në qiellin e vet,
në bedena kështjellash,
valë detesh.
Ishim në ditët e errëta,
gjysmëhëna zvenitej,
ai erdhi mëngjes me diell,
rrahje zemre,
lëvizje,
Dora D’Istria
endte Evropës lulet e shpirtit të tij.
Erdhi kjo dritë
frushullimë ere në zhurmat e kohës,
ndezi vargjet fushës,
veshi dashurinë e tokës nga ku mori vlagën,
trokiti në syrin e përgjumur të shqipes,
shpërthyen si sythe pranvere
“Këngët e Milosaos”.
De Rada,
Ky —
arbëresh i madh me flatra,
kongres i zjarrtë i gjuhës së ashtit!
@Seti Pezaku Vladi