Kam fat…
Kam fat që kam lindur nga dy prindër që janë martuar me dashuri.
Kam fat që nuk kam qenë pjesë e organizatës më famëkeqe, e cila bëri sikur udhëhoqi vendin deri në vitin 1991 drejt mjerimit.
Kam fat që familja ime brez pas brezi ka respektuar njeriun e lirë, sa më larg pushteteve administrative të mbushura plot privilegje sipas trashëgimnisë të të gjithë vendeve lindore.
Kam fat, që kam arritur të përjetoj rikthimin drej orientimit prej të cilës Shqipëria ime ka lindur, që garantohet me hyrjen e Shqipërisë në NATO.
-Kam fat që, me rastin e kësaj pjesëmarrje në këtë familje të madhe të demokracisë. vargjet e mia “Kemi shumë për të ngritur, kemi shumë për të lindur, ashtu si nga agimi lind dita papritur” kanë mbetur të skalitura në deklaratën e Departamentit të Shtetit të vitit 2005 të mbërritur si përshendetje për këtë ngjarje të madhe.
Kam fat që vazhdoj të shkruaj si kam shkruar duke qenë në anën më të bukur të botës, atë që ka thyer çdo kornizë gjinore ose të moshave, nga të cilat lindin të gjithë paragjykimet.
Kam fat që kam arritur të njoh disa nga shkrimtarët më të rëndësishëm të viteve ‘30, nga të cilat u konsolidua poezia dhe proza shqipe, e humnerave të mëdha.
Kam fat që kam qenë në Kosovë që në vitin 1973, ku kam fituar shumë miq.
Kam fat që qyteti im i lindjes më ka dhënë dy herë mandatin e deputetes në opozitën e rilindur të vitit 1991-93.
Kam fat që udhëtimi im në të katër anët e botës ku janë shpërndarë shqiptarët dhe ku vajza ime është gjendur me pune, ka ndikuar për të rritur edhe cilësinë e poezisë sime, duke ndjerë se bota është po aq e njëjtë sa edhe e pasur nga trashëgimnira të mëdha.
Kam fat të njoh poetë të mëdhenj të poezisë botërore si Tomas Transtromer që si shqiptare më ka quajtur motër.
Kam fat që kam njohur nga brenda shumë simptoma të jetës politike shqiptare, por edhe të rretheve kulturore artistike deri sot.
Kam fat që nuk e përdor fjalën kismet, që përsëri duhet të thotë fat.
Kam fat të kem mike, aktoret e teatrit dhe filmit shqiptar, këto mjeshtre të shprehjes së bukurisë së pashtereshme shqiptare.
Kam fat të kem qenë e mirëpritur te shtëpia e Vaçe Zelës në Bazel.
Kam fat të mirëkuptohem më shumë se këdo tjetër me gra të mrekullueshme të brezit tim, në zonat më të thella të malësive shqiptare.
Kam fat të kem drejtuar Arkivin Shetëror të Filmit, ku ruhen thesare të mëdha.
Kam fat të kem të afërt të mrekullueshëm, me të cilët më lidhin rrënjë stërgjyshore.
Kam fat që kam njohur Hedijen, nënën e Mevlanit, gruan trup vogël që këndonte shumë bukur dhe më la amenet shumë tekste këngësh.
Kam fat që mëma ime, që ka njohur shumë plagë të thella shëndetësore dhe shoqërore, të më ketë lënë bekime të mëdha.
Kam fat që në Shqipëri, për krijimtarinë time më qëndron shumë pranë Jonit, që është edhe djali i Mevlanit.
Kam fat që t’i dua shumë disa poezi të miat.
Kam fat që kam lindur në Shqipëri.
Kam fat që sa isha duke bërë këtë bilanc, të festës së Vitit të Ri, më sollën një smoothi, për të më detoksifikur nga darka e brendshme.
Kam fat që Mevlani të mos çuditet nga ky bilanc, ku enigma më e madhe mbetet forca për të ruajtur me fanatizëm lidhjen tonë mbi 50-vjeçare.
Kam fat që në vitin 2025 që sapo hyri, mund të quhem edhe 077-ta.