Këngë për ditën e ujit të bekuar, gurugoxhet-Albert Habazaj


Albert Habazaj

këngë rituali

Që nga gjyshet vjen tradita

Poçja plot me gurugoxhe,

6 janar, sa zbardhet dita

Ne, në shpirt na çelin gonxhe.

6 janari, mëngjes herët

Në lumë, në burim a det

Hedhin kryqin të krishterët

Hedhim dhe ne bereqet.

Të burojë begatia

Më e dashur u bëftë bota!

Me ujë spërkatet shtëpia

Cep më cep, nisur nga porta…

Mbushim shishen dhe e mbajnë

Në degë të dafinës, shegës,

A n’ ulli, si orë e bardhë

Deri 6 janarin tjetër.


Uji larë në mjalt të hënës,

Larë në flori të dritës,

Bekim nga urat’ e nënës,

Bekuar nga mali i Çikës!

Ujë i Ftohtë, Vlorë, e hënë, 6 janar 2025