Koktel gri
Agimi zbret me hapa të ftohtë,
errësira përzihet me të hirten,
dhe hëna qesh tinëz mes resh,
si një aktore që fsheh lotin pas skene.
Rrugët janë kopsht i akullt,
ku ngrica ngjitet pas këpucëve,
si pluhur engjëjsh të rënë nga qielli.
Pellgjet e ngrira – pasqyra të brishta,
mbajnë brenda një qiell që s’flet,
ravijuar në bambuk gri që dridhet.
Fushat treten nën velin e mjegullës,
dhe retë përkulen si pelegrinë të heshtur,
duke rënë mbi tokë në një psherëtimë.
E pi këtë koktel të hirtë,
ku çdo gllënjkë më lidh me tymin e shpirtit,
binjak me përpëlitjet e një zemre,
që kërkon dritë mes hijesh të padukshme.