KOLOSËT JETOJNË PËRJETËSISHT-SAMI SHATRI


KOLOSËT JETOJNË PËRJETËSISHT

(Kush e solli Doruntinën)

Se njerëzit e mëdhenj, lënë gjurmë të pashlyera në afirmimin e kombit është e padiskutueshme, ata mbeten asetet më të çmuara të Kombit, përmes veprës së tyre pasurohet kultura dhe vlerat botërore në përgjithësi e nikohësisht bëhet afirmimi i kulturës dhe vlerave Kombëtare.

Në vitin 2020, vajza ime Doruntina fitoi një bursë për studime në USA, në fushën e Energjisë së Rinovueshme, në shtetin IOWA.

Në vitin 2022, pas mbarimit të studimeve u kthye në Kosovë dhe në mes tjerash tregonte:

Kur filluam ligjeratat, gjatë prezentimit, njëri nga profesorët e nderuar nga fushat teknike, kur dëgjoi emrin Doruntina i la një përshtypje të veçant dhe më pyeti: nga rrjedh ky emër kaq i bukur. Profesori, pos gradës shkencore Prof.Dr.në fushën teknike, ishte i pasionuar edhe pas letërsisë, ufologjisë dhe legjendave.

I tregova që jam shqiptare dhe emri im rrjedh nga romani i Ismail Kadaresë “Kush e solli Doruntinën” duke i shpjeguar shkurtimisht përmbajtjen e librit. Profesorit, kjo temetikë i bëri përshtypje të jashtzakonshme.

Orën në vijim më pyeti: ku mund ta gjej këtë vepër. I thashë që Kadare është ndër shkrimtarët më të mëdhenj botëror, i propozuar shumë herë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve ndërkombëtare për letërsi, veprat e tij janë të përkthyera në shumë gjuhë botërore.

Profesori pasionant kishte kërkuar përmes internetit albumin e veprave të Kadaresë dhe kishte blerë kompletin. Pat filluar t’i lexoi me radhë dhe çdo orë mësimore i kushtonte pak minuta diskutimit për veprat e Kadaresë, sidomos i kishin lënë përshtypje romanet: Kushë e solli Doruntinën, Prilli i thyer dhe Kështjella.

Pas leximit të këtyre veprave ai admironte dhe mitizonte Kombin shqiptar, para studentëve që ishin me kombësi të ndryshme nga të gjitha kontinentet, gjithmonë gjente pak kohë, duke thënë: Student të dashur, pak fjalë për Kombin e Legjendave dhe shpjegonte ndonjë moment interesant nga romanet e shumta.

Më vonë, ishte interesuar edhe për historinë e popullit shqiptar, lashtësinë e gjuhës, lidhjet me shkrimet e vjetra etj.

Si përfundim të këtij tregimi:

Yjet e mëdhenj edhe pas shkuarjes në amshim, rrezatojnë dritë për Kombin e njerëzimin, ata nuk shuhen sa të jetë jeta!

Lum kush ua din vlerën, vepra e tyre mbetet e gjallë e frytdhënëse ndër brezni!

Prishtinë, 01 Tetor, 2024