Krijesa më e arrirë-Anila Kodra Kotroçi


Ti erdhe në jetë e dlirë, nga dashuria,
E ëmbla femër, ashtu si vetë mirësia,
E pastër si uji kristal, që fal jetë,
Krijesa më ëngjëllore që bota do ketë.

Dhuratë nga dëshirë dhe ëndërr e bukur,
E brishtë si lule, a mbi të një flutur,
Jetën fort e deshe dhe vetë ëndërrove,
Ditë fatlume, por dhe të trishta përjetove.

Ëndërrove çdo ditë me ngjyra ylberi
Të jesh vetvetja, si drita e diellit,
Të bekoi Zoti, të bëhesh nënë të krijoi,
Dhe bota falë teje u shtua dhe mbijetoi.

Më shumë se jetën i do fëmijët,
Çdo grua, nënë , harron veten për të bijët,
Në zjarr dhe në hon hidhet për ta,
Se lumturia e tyre për të është gjithçka.

Ti mbetesh bijë përkëdhel thinjat çdo ditë,
Të nënës që me gjak trupi të ka rrit,
Puth ballin rrudhur të babit që të fali gjithçka,
Ju shton buzëqeshjen që të dhanë ata.

Kur vitet të shkojmë dhe plakur të jesh,
Në lug të zemrës dashuri e mall do të ndjesh,
Për jetën që e deshe të pastër të dlirë,
Për ato që bëre, herë keq e herë mirë.

Ulur diku në të dhomës qoshe ,
Do kujtosh kur babai fjalë shpirti të thoshte,
Kur nëna të mësonte të bëhesh njeri i mirë,
Ditët e lumtura, por dhe kur pate vështirë.

Nënë, bijë, motër, grua,
Femër, krijesa më e arrirë.