Krijuesit “varfanjakë”, por me shpirt të pasur-Zekirija Idrizi


KRIJUESIT “VARFANJAKË”, POR ME SHPIRT TË PASUR

* Përafërsisht, me një plotësim të vogël, kjo do jetë “Hyrja” te libri im i ardhshëm “Portrete shkrimtarësh”

Akoma nuk kam dëgjuar deri më sot për ndonjë krijues o shkrimtar e poet të pasur! Shumica dërrmuese e krijuesve idealistë çojnë një jetesë në kushte e rrethana mizerable ekonomike. Përjashto këtu “poetët e shkrimtarët oborrtarë” dhe ata “ideoligjiko-partiakë”, që ua mbajnë ison “mbretërve” të tyre bashkëmendimtarë…

Koka enciklopedike, rektori universitar, Hoxhë Hasan Tahsini, u suspendua nga posti i rektorit nga qarqe obskure mesjetare për shkak të pikëpamjeve të tij shkencore dhe vdiq në kushte të rënda psikike e ekonomike, duke mbajtur shpirtin gjallë si shitës lulesh rrugëve e kafeneve të Stambollit. Kolosi Faik Konica vdiq me 20 dollarë në portmone, në kohën kur jetonte me qera banesë më banesë në New York dhe s’kishte lekë për t’i mbuluar qeratë mujore. Ndërkohë ai vdiq i mbytur gjer në fyt me borxhe të shumta ndaj huadhënësve. Kjo njëlloj si Dostojevski i madh që pas vdekjes la shumë borxhe të palara. Borxhet ia shleu bashkëshortja duke ia shitur ekzemplarët e librave. Zatën, shikuar thellë në esencë, krijuesit janë tejmase të stresuar nga përsiatjet e thella e të gjata dhe, për rrjedhojë, çojnë një jetesë prej bohemësh. Njëjtë si, ta zëmë, Zhan Pol Sartre e Albert Kamy, që fundin e jetës së tyre e kaluan kafene më kafene në Paris, duke dëgjuar muzikë “tallava/orientale”, duke konsumuar shumë pije alkoolike dhe duke flirtuar me “pulëbardhat”, në mënyrë që ”të vrisnin” monotoninë dhe jetën e tejstresuar prej shkrimtarësh e mendimtarësh …

Ernest Heminguej, Virginia Wolf, Stefan Cveig, Ingeborg Bahmann, Emily Dicinson, John Amery, Bekim Fehmiu e shumë krijues të tjerë u bënë viktimë e mazokizmit morbid, duke u vetëvrarë në vdekjet e tyre “humane” për t’u çliruar definitivisht nga kthetrat e botës së absurdtë. Po në mjerim e psikozë të rëndë vdiq edhe “babai” i psiko-analizës Sigmund Frojd. Në të tilla rrethanash vdiqën dhe Onore de Balzac e themeluesi i nihilizmit Friedrich Nitcsche (“Zoti vdiq”!) e shumë e shumë intelektualë e krijues të tjerë emërmëdhenj…

Personalisht, brengë e pikëllim të thellë më kanë shkaktuar vetëvrasjet e Bekim Fehmiut dhe poetit e shkrimtarit kumanovar Fadil Bekteshi. Po, vetëvrasja e Fadilit disident, i cili kurrë e përjetë nuk iu nënshtrua diktateve e cenzurave të hekurta të nomenklaturave “policeske” politiko-partiake dhe mentorëve oborrtarë …

Edhe sot e rilexoj s’di për të satën herë poezinë e tij me titull “DITËN QË BESOVA SE DO VDISJA”…

Fadili i ndjerë u pёrjashtua nga puna, i etiketuar si “armik i shoqёrisё”, si pasojё e ndjekjes permanente nga UDB -ja. Atij iu montua procesi gjyqësor nё Shkup nga prokurorё gjakpirёs ushtarak dhe u dёnua me 2,5 vjet burg, tё cilin e vuajti nё burgun famёkeq tё Idrizovёs (IRJ e Maqedonisё) nё vitet 1984 – 1986.

Hovin mё tё vrullshёm letrar e publicistik ia ndёrpreu mё 1981 dora e zgjatur e UDB -sё nё redaksinё e gazetёs “Flaka e vёllazёrimit”, kur iu botua libri i parё (tregime pёr fёmijё) “Baloni”, por pas njё muaji botimi, ende pa dalё nga depoja e kёsaj redaksie, edhe libri iu anatemua, u pёrndoq si vetё autori dhe nuk u lejua tё lexohet dhe tё vlerёsohet nga lexuesit. Mё pastaj pёr nёntё vjet me radhё e kishte tё ndaluar me dekret tё policisë letrare botimin nёpёr revista letrare e gazeta shkrimet e tij letrare – publicistike, kurse pёr tё botuar ndonjё libёr tё ri, autori as qё mund tё ёndёrronte nё atё kohё….

Edhe sot e kësaj dite shkrimtaria e Fadil Bekteshit krijon frikë e tmerr në kokat e kulturofagëve dhe “shkrimtarëve oborrtarë”…

Kjo më vë në kujtesë gjithë intelektualët, poetët dhe shkrimtarët që i syrgjynosi, persekutoi, burgosi, vrau e vari në litar regjimi totalitarist i Xhaxhit Enver në kohën e regjimit komunist. S’mund të heq dot nga mendja burgosjet e poetëve dhe shkrimtarëve zulmëmëdhenj, si: Arshi Pipa, Petro Marku, Jorgo Bllaci, Vinçenst Prenushi, Mitrush Kuteli, Kasëm Trebeshina, Jusuf Vrioni, Daut Gomeni, Frederik Reshpja, Adem Demaç, Visar Zhiti, shkrimtarit Fatos Lubonja, Pjetër Arbnori etj. Mandej s’mund të harroj edhe vrasjet dhe varjet në litar të martirëve e heronjëve: poetit zulmëmadh Havzi Nela, Vilson Blloshmi, Genc Leka, Musine Kokalarit, Patër Anton Harapit e të shume e shumë të tjerëve që kurrë nuk iu përkulën regjimit barbar.

Është ligj i pashkruar dialektik:

“Idealistët, në janë gjallë, jetojnë në kushte e rrethana mizerable psikike e ekonomike, o janë të syrgjynosur, të persekutuar, të burgosur o të likuiduar në format më çnjerëzore…”

Lavdi përjetësisht Veprës së tyre!

Krijuesit, studjuesit, poetët dhe shkrimtarët janë “varfanjakë”, por shumë shpirtpasur, për arsye se veprat e tyre e sigurojnë pavdekësinë/përjetësinë e tyre, ndër shekuj e breza, sa të rrojë e tërë gjithësia… Po e parafrazoj Naimin e madh i cili thoshte: “Ata i shëmbëllejnë qiriut që veten e ndezë, ndërkohë që të tjerëve u bën dritë”. Pra, krijuesit janë vetëflijues për të mirën e përgjithshme, pikërisht ashtu sikundër do të pohojë i ndjeri Fadil Bekteshi në fund të librit të tij “Filgjan i dashurisë”: “Sipas të gjitha gjasave, kryevepra ime do të jetë vetëflijimi për të tjerët”.

Poetët dhe shkrimtarët – këta korifenj të mëndimit dhe letrave shqipe, këta demiurgë madhështorë me shpirt të madh e të mrekullueshëm, të cilët që çdo ditë flijohen pak e nga pak për Atdheun, për kauzën kombëtare dhe për vlerat gjithënjerëzore, njëkohësisht, madje-madje edhe për të bukurën dhe artin, për kulturën dhe letërsinë kombëtare… Këta gjigandë të mëndimit dhe artit të fjalës që me librat e tyre tentojnë t’i japin dritë shpirtit njerëzor dhe të ngrenë në lartësitë e vlerave bashkëkohore letrat shqipe me të vetmen ambicje njerëzore për të thënë se Shqipëria, me gjitha trojet e saj anekënd Gadishullit Iliric, është pjesë e thesareve të Kulturës Botërore dhe ka kontribute të çmuara në vepra letrare që kalojnë kufijtë dhe shndërrohen në vepra të vlerësuara maksimalisht dhe të përkthyera në dhjetra gjuhë të botës.

Të merremi vesh, metodat respresive zhdanoviane të regjimeve obskure e agjenturave policeske nuk mund të mposhtin e të nënshtrojnë kurrën e kurrës shpirtin prometeik të krijuesve idealistë, zëarbërorë e zëhyjnorë!

Zekirija Idrizi Shkup

Berlin