Kur e dashurova shumë dhe e kuptova…Piro Millona Minella


Kur e dashurova shumë dhe e kuptova që Ai më dashuronte më fort, më thellë u detyrova të largohesha….”

….U dashurova kur isha e re me një mashkull tepër të bukur, por edhe tepër fisnik. Nuk mund të rrija dot pa të. Takimet tona ishin përrallore. Nuk mund të harroj kurre ato fluturimet, që më çonin në qiellin e shtatë.

Më merrte në duart e tij më ngrinte nga toka dhe Unë mbyllja sytë dhe nuk doja të mbaronte kurrë ky fluturim magjik, muzika e viteve tona në ato momente na shtonte edhe më shumë pasionin.

Kjo vazhdoi, por kur u përmënda një ditë e kuptova, që realiteti mes meje dhe atij ishte tepër i thellë një hendek që nuk mund ta kapërxenim dot Ne të dy.

Kishim prejardhje krejt ndryshe me njëri tjetrin, nga pikpamja politike e kohës dhe martesa ime me të do të ishte plotësisht shkatërruese për Atë.

Por sidomos kur e ndjeva se më donte shumë më tepër dhe shumë më fuqishëm se Unë, u largova pa e kthyer kokën pas.

Ika në mërgim, ku jetoj akoma edhe sot.

U ktheva njëherë në Tiranë isha ulur tek stolat para tek Parku “Rinia”, kur e pashë. Vetvetiu ndaloi, erdhi u afrua i ndrojtur kokë ulur, por Unë e kisha vendosur nuk desha të rihyja më në jetën e tij. Për mua nuk kishte kthim prapa.

Nuk i fola, as ai, ngriu para meje. Qëndroi për pak çaste dhe duke tundur kokën lehtë tërhoqi këmbët zvarrë dhe u largua.

Pas disa vitesh përsëri u ndesha me të në vëndin e tij të punës dhe dilema për ta takuar ose jo më në fund fitoi ajo ndjenjë e fshehur aty brënda thellë në shpirtin tim. Hyra tek zyra e tij. E pashë. U drithërova.

Ulur kokën në shkresat shtoi pa më parë fare në sy:

-Ju lutem çfarë problemi keni?.

Unë nuk fola, kur pas një momenti ngrë kokën më pa shtangu nuk po u besonte syve.

U ngrit me po atë vrull si atëherë, që më përfshinte në krahët e tij, në sytë e të gjithëve më përqafoi fort më puthi dhe më tërhoqi prej dore dhe përfunduam në lokalin aty ngjitur.

Sa mall kujtuam tërë atë kohë të shkurtër, por tepër të bukur plot ritëm, ndjenja, pasion, ëndërra…

Pas këtij hovi shikuam njëri tjetrin në sy, ishim po aq të dashuruar si atëherë në kulmin e moshës së rinisë.

Qëndruam shumë kohë pa folur duke bluajtur secili mendimet e veta dhe përnjëherësh u ngritem.

Të dy kishim marrë të njëjtin vendim.

Nuk i përkisnim më njëri tjetrit. Unë i përkisja jetës së largët atje në mërgim, që është bërë si vëndi im.

….U ndamë me shpresën që të mos takohemi më kurrë, por ta ruajmë si “thesarin” më të bukur atë dashuri të pastër, aq të çiltër.

Nga brënda lokalit ushtonte fuqishëm muzika e xhazzit, që të dy e adhuronim dikur…..