Kur mëson, të thonë “peshkop…”Lutfi Mema


KUR MËSON, TË THONË “PESHKOP…”

Ashtu siç gjenden kallinj pa bukë,

ka dhe studentë, që quhen vjeshtukë…

Të njohësh vjeshtukët, nuk është zor,

kthehen të parët gjithmonë në shtator.

Vijnë e si vijnë, pa thënë një fjalë,

shkojnë nëpër rrugë si illegalë…

Pyes ish-nxënës të mi:

—Si kishin dalë në provime…?

—Mirë dolëm në përgjithësi

shijuam edhe gëzime…

Koha ka diell dhe shi

shpesh ne biem në mendime…

—Ndonjë ferrë latë nëpër këmbë?!

—Patjetër, është tjetër kohë…

Po kalove në çdo lëndë,

thonë: ai mbeti “peshkop!…”

* * *

I patëm nxënës të mirë,

i vumë në pozita pune…

paskan humbur çdo dëshirë,

s’mësojnë, kanë rënë në gjumë…

Ne ju kishim në kujtesë,

krenari ju mbante shkolla,

buzagaz na keni mbetur,

s’e ndanit librin nga dora…

* * *

Po ku je, o shkolla jonë?!

Ne po të qajmë me lot…

Mësues, nxënës, maratonë

arritën, ku s’shkohej dot…

Po ku je, o shkolla jonë?

Hodhëm themelet e jetës…

Tingujt e ziles na ftojnë,

shkolla na kthen buzëqeshjen…

Ku jeni, o ditë të bukura…?

Shkollë, zemra në krahëror…

Ku jeni, vite të lumtura…?

Suksesin kishim kurorë…

LUTFI MEMA

Personalitet i Shquar i Arsimit Kombëtar