Kur të çelin lisat dritë diejsh
Unë me një gjethe në dorë do ti lutem zotit tim,
Sahati i kohës do rrëzohet qiejsh,
E do të ringrihem burrë i zoti, trim!
Atëherë do të shohin netët pa hënë,
Se si do të ndriçojë Epiri dritë floriri,
Ujku plak do qeshi në padhëmbë,
Në këmbët e mia do derdhet gaz i biri!…
Kur të çelin lisat dritë shpirtrash të pamposhtur,
Burrat me duart si degë do ti ngrejnë kokat e tyre të mëdha,
Vallet e grave nuk do kenë të sosur,
Do të gjëmojnë gërnetat sipër në kala!
Atëherë do të ngrihen shqiptarët e mi,
Përtueshëm prej rakisë gjumit të zjarrit,
Në bregun e Aosit do çeli shelgu i ri,
Të fshihen sirenat e zhveshura në zhegun e beharit!