Libri që hedh poshtë luftën civile në Shqipëri-Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj


Libri që hedh poshtë luftën civile në Shqipëri

Atë që se bënë dot në luftë për të ndezur luftën civile, po e realizojnë sot në heshtje pinjollët e BK, të Legalitetit dhe të organizatave të tjera të cilat gjatë Luftës Antifashiste në vitet 1939-1944 bashkëpunuan me pushtuesit. Si dje në luftë shteti kuislin i mbështetit këto organizata, edhe sot shteti shqiptar mbështet me buxhete institute që përfaqësojnë këto organizata të cilat kriminalizojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, çlirimtarët, kuadrot komandues të UNÇSH, komandantin e Përgjithshëm Enver Hoxha e deri te komandantët e njësive të ushtrisë partizane dhe ngrenë lart “kontributin” e Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe organizatave të tjera kolaboracioniste që bashkëpunuan ngushtësisht me pushtuesit italianë e gjermanë në Luftën e Dytë Botërore.

Dhe kjo luftë civile sot në heshtje po merr përmasa me shkatërrimin e veprave të artit që përkujtonin ngjarje, heronj e dëshmorë të LANÇ dhe të ngritjes së veprave për njerëz të cilët me ide dhe me pushkë vepruan kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe drejtuesve të saj.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë hesht para këtij fenomeni që po ndodh me LANÇ-in, historianë me grada shkencore me tema të LANÇ të popullit shqiptarë, besoj se e dinë mirë termin luftë civile, por për të mos u prishur “hatrin” pinjollëve të rinj, të parët e tyre në vitet e antifashizmit u vunë në krah të pushtuesit dhe jo kundër tij, heshtin përpara kësaj çoroditje të këtij fabrikimi të padëgjuar në histori.

Sot përfaqësuesit e këtyre organizatave kolaboracioniste veprojnë me “argumente” për antikomunizmin dhe se LANÇ-i në Shqipëri ka qenë luftë civile. Përfaqësuesit e BK, Legalitetit e organizatave të tjera në vitet e Luftës së Dytë Botërore bashkëpunuan me pushtuesit italianë e gjermanë, duke përdorur kartën e antikomunizmit, i akuzonin shqiptarët që luftonin për çlirimin e vendit se ishin të lidhur me rusët dhe serbët.

Harrojnë se Koalicioni i madh Antifashist nuk u ndërtua mbi baza ideologjike, por u ndërtua mbi bazën e vlerave të antifashizmit. Koalicioni SHBA, Britania e Madhe dhe Rusia e vende të tjera u vendosën kundër boshtit Berlin-Romë-Tokio dhe aleatëve të tyre. Por, pas vitit ’90 të shek. XX, ky argument thuajse nuk përmendet dhe pinjollët, u kthyen te argumenti i luftës civile.

Për këtë argument janë angazhuar një tabor i madh politikan e historian, e kushdo që e quan veten antikomunist dhe flasin e shpifin pa baza, pa argumente dhe pa fakte, mirëpo duke folur çdo ditë dhe shkruar brockulla pa fund e botuar, në një farë mase ia kanë arritur qëllimit ta çvleftësojnë, ta diskretitojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Të habit fakti se në këtë “fitore” kanë ndihmën e institucioneve të shtetit shqiptarë, të parlamentit, të forcave politike dhe të drejtuesëve të tyre, etj.

Në këto vite të demokracisë në Shqipëri në vijimësi është tentuar të diskretitojmë, të zhvlerësojmë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, luftë e cila e rreshtoi Shqipërinë në Koalicionin e Madh Antifashist botërorë. Po luftohte të zhvlerësohet një periudhë, një epope ku sot i bëjnë nderime të mëdha gjithë kombet që vuajtën pasojat e pushtimit nazifashist dhe luftuan për ta mposhtur dhe fituan mbi të. Epopesë së Luftës Antifashiste i bëjnë nderime të mëdha dhe shtete të cilët në vitet e Luftës së Dytë Botërore ishin në anën e gabuar, në bllokun fashist.

Mos vallë këta kërkojnë të na rreshtojnë me vendet e bllokut fashist, mirëpo antifashizmit i bën homazhe Gjermania, Italia, Japonia etj. Ndërsa shteti dhe institucione shkencore nuk i bëjmë homazhet e merituara kësaj lufte, pasi kanë gjetur “arsye”, se Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare na qenka “luftë civile”. “U pika, pika”, thuhet në një film nga lufta…

Kanë thënë së “në luftë nuk ka luftë civile”

Ministër i Mbrojtjes, ambasador Shaqir Vukaj është shprehur qartë se “në Europë, në asnjë të vend të pushtuar nga nazifashistët, nuk ka patur luftë civile. Shpifës, mashtrues e falsifikatorë, midis tyre pasaradhës të bashkëpunëtorëve me pushtuesit nazifashistë, përpiqen të manipulojnë sikur në Shqipëri është zhvilluar luftë civile, për të mohuar kështu antinazifashizmin e shqiptarëve dhe Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare (LANÇ).

Konsullit Gjerman në Shqipëri në telegram nr. 116, datë 28 tetor 1943, drejtuar ambasadorit Hermann Neubacher, përfaqësuesi më i Lartë i Hitlerit për Europën Juglindore shkruante se “…bashkëpunimi i ngushtë i Ballit Kombëtar me trupat gjermane, tanimë është fakt”.

Alexander C. Kirk, këshilltar Politik në Shtabin Aleat të Mesdheut, i shkruante Cordell Hull, sekretar i Shtetit të SHBA-së, më 16 shtator 1944 se “…teksa (në Shqipëri) po hyjmë në një fazë të re, parandalimi i luftës civile e tejkalon politikën për të ndihmuar këdo që do të luftojë gjermanët”.

Ministri i Jashtem i Britanisë, Anthony Eden, më 26 shtator 1944 i shkruante kryeministrit Çurçill se “Lëvizja Nacionalçlirimtare përbën të vetmen forcë në Shqipëri që lufton kundër forcave gjermane të pushtimit”.

Gjeneralmajor Perlat Sula për luftën civile

Gjeneralmajor Perlat Sula na sqaron se dhe pse nuk ka një punim të plotë për luftën civile, në fjalorin shqip, por dhe në rrethet ushtarake termi luftë civile është shumë i qartë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore atdheu ynë ishte i pushtuar me operacione ushtarake klasike dhe u mbajt nën pushtim të plotë ushtarak, politik, ekonomik dhe administrativ nga Italia fashiste dhe Gjermania naziste.

Ushtarakët shqiptarë, falë arsimimit të tyre të specializuar në konceptet “luftë”, “mbrojtje” dhe derivatët e tyre, kanë ofruar gjithmonë shpjegime profesionale për luftën në tërësi, si dhe për luftën civile.

Kështu libri “Fabrikimi i një lufte civile në Shqipëri, mision i dështuar”, i Agron Berdaj dhe Zeno Jahaj, e përmbush plotësisht këtë boshllëk në këtë kohë të trazuar nga politika shqiptare. Ata sqarojnë dhe afrojnë kritere dhe qasje shkencore, të qarta dhe bindshëm dhe e përcaktojnë termin “luftë civile” në shumëllojshmërinë e luftës në tërësi. Argumentet në libër janë logjike e koherente, të mbështetura në prova të shumta historike, politike dhe shoqërore. Ato zhvleftësojnë pretendimet se në Shqipëri na është zhvilluar “lufte civile” në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Libri i përgatitur nga dy ushtarakë të lartë, sjell argumente shteruese historike e ushtarake, me dokumente autentike të niveleve strategjike e operacionale të Fuqive të Mëdha pjesëmarrëse në Luftën e Dytë Botërore, se Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare ishte e vetmja luftë që u zhvillua në Shqipëri në atë kohë.

Libri nëpërmjet argumenteve ushtarake, politike, juridike, në fakte e dokumente hedh poshtë pretendimin se në Shqipëri është zhvilluar luftë civile gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ky libër është një referencë e rëndësishme në debate akademike dhe historike mbi luftërat civile dhe konfliktet e armatosura.

Libri një leksion për politikanët shqiptarë

Libri “Fabrikimi i një lufte civile në Shqipëri mision i dështuar” i Agron Berdaj dhe Zeno Jahaj është në kohën e duhur për politikanët shqiptarë. Ky botim në vitit 2024, që është viti i 80-të vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, qartëson se fitorja më e madhe që mban vulën e UNÇSH, është Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar. Ai duhet lexuar nga politikanët për t’ua shpjeguar dhe historianëve të tyre politik, që nuk kanë formim ushtarak.

Janë ditët kur më shumë se kurrë politikanët shqiptarët duhet të mësojnë historinë, të binden se çfarë ishte Lufta e popullit shqiptarë në kuadër të Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte një luftë antifashiste, ishte lufta e gjithë kombeve që u përfshinë në anën e drejtë, në koalicionin e madh antifashist Amerikë-Angli-BS, etj. Ta çrrënjosin përgjithmonë se nuk ishte luftë civile mes shqiptarëve, si e qujanë sot pinjollët e klasave, organizatave politike dhe ushtarake që në vitet e luftës u vunë dhe luftuan në krah të pushtuesve.

Në faqet e këtij libri të gjithë si ata që mbrojnë Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, por dhe ata që e konsiderojnë luftën “luftë civile” mësojnë të vërtetën e madhe. E vërteta vjen dhe përmes citimeve të personaliteteve të çështjeve të luftës, përmes dokumenteve edhe të Fuqive të Mëdha të rreshtuara si palë në konflikt.

Libri ka një format të vogël, rreth 130 faqe, lexohet shpejt, i qartë, me argumenta, me përfundime të sakta, i ndërtuar llogjikshëm në sythe. Libri jep përfundimisht një qartësi pas qartësive të mëparshëm për luftën e armatosur dhe luftërat civile.

Përgjigjen e kanë dhënë Agron Berdaj e Zeno Jahaj në librin “Fabrikimi i një lufte civile në Shqipëri, mision i dështuar”, të bazuar në shkencat ushtarake, politike e juridike, me fakte e dokumente, që hedhin poshtë këtë pretendim sa absurd, aq edhe antikombëtar.

Autorët i shprehin mirënjohje Frederik Mehmet (Meke) Agolli, ish ushtarak dhe drejtues në shkollat ushtarake, si dhe familjarisht i lidhur me LANÇ, që mundësoi botimin e këtij libri cilësor dhe me vlera.