Martaneshi dhe masakra në familjet aktiviste të lëvizjes-Prof. Asoc. dr. Bernard Zotaj


Martaneshi dhe masakra në familjet aktiviste të lëvizjes

Martaneshi, krahinë e çliruar që në vitin 1942

Martaneshi është i dëgjuar në histori për patriotizëm, shpirt luftarak dhe atdhedashuri, virtyte këto që i ka manifestuar në shekuj. Pushka e trimave të Martaneshit ishtee dëgjuar në Shkodër e Janinë, në Follorinë e Elbasan, në Dibër e Tiranë dhe në Shkup e Prishtinë. Për lirinë dhe pavarësinë, populli i Martaneshit ka sakrifikuar jetë njerëzish, ka pësuar shkatërrime, grabitje, plaçkitje të pasurisë etj. Arma për çdo matraneshas ishte e shenjtë, ishte gjetur dhe siguruar me shumë sakrifica. Teqeja e Martaneshit dhe Baba Faja i mblodhën rreth vetes trimat dhe i frymëzuan për qëndresë dhe për atdhetarizëm. Në teqenë e Baba Fajës dhe në Martanesh gjatë luftës bujtën misonarë të çlirimtares, miq, patriot, komunistë, nacionalistë, partizanë, ilegalë e besimtarë. Aty gjetën jatak Mustafa Gjinishi, Sami Baholli, Haxhi Lleshi, Mustafa Kaçaçi, Ramadan Çitaku, Vasil Shanto etj. Në Martanesh nga aktivistë të lëvizjes erdhën trakte, komunikata, radio për ndërlidhje, etj.

Baba Faja si anëtarë i Shtabit të Përgjithshëm i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, më 27 shtator 1942, njësitin luftarak të Martaneshit, me që ishin rritur shumë në numër e zyrtarizoi në çetë partizanë të Martaneshit. Komandant u caktua Baba Faja dhe komisar Ramadan Çitaku, edhe ky anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Baba Faja ishte një figurë e shquar patriotike dhe fetare. Ai kishte një autoritet të padiskutueshëm në të gjtihë popullatën e Martaneshit. Ai që me fillimin e lëvizjes punoi me këshillin e Teqesë, organizoi mjaft takime me kryetarë fisesh, me persona e njerëz me influencë, por dhe me njerëz të thjeshtë e besmitarë, në mënyrë të veçantë dhe me besimtare gra, duke bërë që të zgjerohej lëvizja antifashiste në Martanesh. Gjatë vitit 1942 Teqeja e Martaneshit u bë streha e mjaft ilegalëve që vinin nga Dibra, Tirana e Elbasani, ku diskutoheshin e flitej për shumë problem, por kryesorja ishte krijimi i çetës partizane. Kështu baba Faja i bëri thirrje popullit nga një pushkë për shtëpi siç ishte tradita, të bashkoheshin për luftë kundër pushtuesit dhe tradhëtarëve të vendit.

Çeta e Martaneshit, së bashku me çetën e Matit dhe çetën e Çermenikës organizuan disa aksione si në Labinot-Fushë më 14 tetor 1942, aksionin tek ura në librazhd më 31 tetor 1942, aksionin tek ura e Murrasjit më 16 nëntor 1942. Më 16 dhjetor 1942 kjo çetë sulmoi postën e milicisë në qendër të Martaneshit, ku milicët u larguan natën në fshehtësi. Më datë 17 dhjetor 1942, Martaneshi ishte krahinë e çliruar më 23 dhjetor 1942 u zgjodh këshilli nacionalçlirimtar i krahinës me kryetar Sali Fejza dhe sekretar Bajram Muça. Sulmet kundër postave ushtarake, bënë që të zgjeroheshin zonat e lira e të forcoheshin bazat mbështetëse të çetave partizane ku u ngritën në masë këshillat nacionalçlirimtare.

Fashistët italianë nuk mund të pajtoheshin me këtë situate, prandaj ndërmorën një operacion të madh spastrimi kundër bazës partizane të Martaneshit. Fashistët hodhën në operacion 3.000 forca të Divizionit “Firence” të komanduara nga vetë komandanti i divizionit. Forcat italiane të mbështetura nga forcat, reaksionare si dhe nga puna përçarëse e krerëve të Ballit Kombëtar u sulën kundër zonës së Martaneshit. Armiqtë dogjën shtëpi, terrorizuan popullsinë dhe dogjën edhe teqenë e poshtme të Martaneshit. Duke përfituar nga kjo situatë e vështirë krerët e Ballit Kombëtar u përpoqën ta frikësonin popullsinë e Martaneshit dhe të krijonin një besëlidhje kundër Luftës Nacionalçlirimtare. Por komunistët dhe partizanët e çetës të komanduar nga Baba Faja u bënë ballë me sukses këtyre presioneve e intrigave të tradhtarëve. Më 21 shkurt 1943 fashistët italianë dogjën dhe Teqjenë e Ballenjës, e cila siç shkruante “Zëri i Popullit” në vitet e luftës se “flaka e Teqës së Martaneshit ishte flaka e shenjtë e patriotizmit, ishte pishtari i Luftës Antifashiste që ndezi akoma më shumë urrejtjen e popullit shqiptar kundër fashizmit”.

Fashistët masakruan familjen Kënga

Familja Kënga në Lenë të Martaneshit ishte një familje që ruante tradita patriotke dhe punëtore. Ajo me atë pak ekonomi bujqësore dhe blegtorale mundohej të përballonte jetesën e vështirë. Ajo ishte si shumë familje të Martaneshit nuk e prodhonin bukën gjatë vitit, por e siguronin në tregun e Klosit dhe të Tiranës. Në këtë familje kishte ardhur nuse Rihanë Maksut Kënga, e lindur në vitin 1892 në fshatin Krastë dhe e martuar në fshatin Lenë me Abas Këngën. Të dy familjet ishin të varfra, por me një të traditë patriotike dhe punëtore. Së bashku me burrin, Abaz, Rihana i vuri shpatullat shtëpisë dhe punoi në bujqësi dhe në blegtori e paktë familjare. Por ajo si zonjë shtëpie duhej të përballonte dhe punët e shumta të shtëpisë. Në shqetësimet e shumta, u shtua dhe pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste. Këtë pushtim e ndien më shumë kur fashistët pushtuan dhe krahinën e Martaneshit dhe ndërtuan postë milicie. Si familje mbështetën fillimet e Lëvizjet Nacionalçlirimtare, pasi kishin besim të madh tek udhëheqësi i tyre shpirtëror Baba Faja. Familja Kënga u bashkuan me luftën dhe e mbështeti atë edhe duke sakrifikuar jetën.

Më 20 shkurt 1943 ushtria italiane filloi në një operacion të madh dhe në Martanesh. Ndaj popullsisë civile u ushtrua dhunë, u bënë arrestime, bastisje dhe plaçkitje etj. U kontrolluan mjaft shtëpi që konsideroheshin baza të luftës, për të gjetur material propogandistike, armë etj. Ushtarë italianë mbritën dhe në shtëpinë e Riza Këngës. E kthyen shtëpinë përmbys, por nuk gjetën shënjë kompromentuese. Kur nuk gjetë asnjë gjë provokuese, ushtarët u nisën të kontrollonin në veshje dhe të zonjat e shtëpisë, Rihanën dhe gruan e Rizait, Meremen. Këtu durimi ishte sosur, dhe shqiptari e ka të rëndë prekjen e gruas, ofendim dhe shkejle të traditës e të zakonit shekullor, patrioti Riza nuk duroi dhe nga gjoksi nxorri me shpejtësi rovolen dhe ja drejtoi ushtarit fashist italian, por ushtarët e tjerë italian, gjuajtë pa mëshirë mbi familjen kënga… Rihana Kënga është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 89, datë 05.09.1981, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Matit.

Patrioti Riza shpërtheu e nga gjoksi nxorri rovolen…

Riza Abas Kënga lindi më 1912 në fshatin Lenë në një familje të varfër fshatare, por të ndershme dhe patriote. Në jetën e tij punoi kryesisht në blegtori dhe në punëte bujqësore të familjes. Me ndershmëri dhe me djersën e ballit në jetë u përpoq të siguronte bukën dhe mjetet e domosdoshme për jetesë në kushtet shumë të vështira të terrenit malor në Martanesh. Rizai midis shumë vështirësive mbaroi dhe shkollën fillore në Martanesh…familja e tij u lidh që në fillim me leëvizjen. Por në kulmin e operacionit dhe të dimrit të madh, më 20 shkurt 1943 ushtria italiane mbriti për operacion në Martanesh. Ajo mori peng mbi 60 burra të krahinës së Martaneshit, së bashku me ta ishte dhe Rizai. Tërë ajo ditë dhe të nesërmen tërë popullata e Martaneshit nuk bëri gjumë. Të nesërmen pengjet u liruan, por në befasi të plotë u sulmuan shtëpitë e fshatrave të Martaneshit. Ushtria italiane në çdo shtëpi ushtroi dhunë, tortura, bastisje e djegie të shtëpive.

Në shtëpinë e Riza Këngës pas kontrollit që shtëpia ju kthye përmbys, meqenëse nuk gjetën armë e mjete të tjera sipas tyre materiale komuniste, filluan të vinin dorë dhe mbi gratë… nuk mund ta duronte më Rizai, por nxori revolen që e mbante fshehur në gjoks… ushtari fashist italian me automatik derdhi gjithë plumbat mbi trupin e tij. Riza Kënga është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 14, datë 31.1.1981, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Matit.

Vajza e parë që mësoi në shkollën e Martaneshit

Mereme Hajdar Kënga lindi më 1913 në fshatin Lenë të Martaneshit. Ishte bijë e Hajdarit, një burrë patriot deh punëtor që merrej kryesisht me blegtori dhe bujqësi. Kur u çel shkolla për herë të parë në Martanesh, ishte prindi i parë që vajzën e tij, Mereme e dërgoi në shkollë. Kështu Mereme ishte nga vajzat e para që nisi mësimet në shkollën e Martaneshit. Mereme u martua dhe krijoi familje me Riza Këngën. Të dy së bashku me punë dhe me përpjekje mbajtën familjen, duke përballuar vështirësitë e jetës në një krahinë tepër të thyer e malore. Qeveria e mbretit e kishte lënë në mjerim të plotë këtë krahinë malore, duke e thelluar prapambetjen shekullore të trashëguar. Fashistët italianë u pritën me indinjatë dhe shqetësim edhe nga familja Kënga. Kjo familje ishte lidhur përfundimisht me lëvizjen. U trondit shumë kur në shtëpinë e saj mbritën fashistët për të bërë kontroll dhe për të torturuar njerëzit e pafajshëm… ajo ishte shtazënë dhe me gëzim priste lindjen e fëmijës… fashistët filluan të vënë dorë edhe mbi Meremen… Kështu e dhanë jetën nga plumbat fashistë familja Kënga, Rihanë, Riza dhe Mereme së bashku me foshnjën në bark… një masakër e kryer nga fashistët në shtëpinë e një patrioti shqiptar i cili donte lirinë dhe nderin e familjes… një masakër që vlen të njihet dhe të flitet për të në dekada e shekuj… Mereme Kënga është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 95, datë 03.12.1983, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Matit.

Muharrem Tahir Alhasa u lind më 1870 në Peshk të Martaneshit në një familje patriote me emër të mirë. Muharremi së bashku me luftëtarë të tjerë të fshatit peshk, kanë marrë pjesë në luftën kundër serbëve në mbrojtje të Atdheut. Në jetën e tij Muharremi është marrë me bujqësi e blegtori. Ai ishte një besimtar bektashi i devotshëm, ndihmonte teqen e njohur të Ballenjës, e cila ishte një vatër e rëndësishme patriotike. Me fillimin e levizjes shtëpinë e vuri në dispozicion të luftës duke u bërë një nga bazat e sigurta në martanesh. Muharremi ishte me 60 burrat e arrestuar nga italianët që erdhën për të ndëshkuar popullsinë e Martaneshit. Fashistët italianë pasi i liruan, shkuan në shtëpinë e çdo fshatari dhe filluan kontrollet për material të luftës dhe për armë.Pasi i lirua ai shkoi pranë familjes. Muharremi mori përgjegjësinë për gjetjen e dy pushkëve dhe disa trakteve në shtëpinë e kushërinjve të tij. E bëri këtë si më i moshuar, për të shpëtuar më të rinjtë e pjesëtarët e tjerë të familjes. Fashistët e dogjën shtëpinë, ndërsa Muharremin së bashku me Ramaza e Demir, kushërinj i masakruan në oborrin e shtëpisë, ishte data 21shkurt 1943. Ngjarje bëri jehonë në popullin e Martaneshit, i cili u betua për të marrë hak. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 49, datë 24.04.1980, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Matit.

Ramazan Ibrahim Alhasa u lind më 1892 në fshatin Lenë të Martaneshit. U rrit mes vështirësive të shumta ekonomike, pasi kishte pak tokë dhe bagëti. Përkrahu lëvizjen që në fillim. U arrestua bashkë me djalin, Demir e së bashku me 60 burra të Martaneshit u mbajtën peng për një natë. U liruan dhe shkuan pranë familjes, por fashistët italianë në çdo shtëpi filluan kontrollet për të justifikuar masakrën. Kontrollet i organizuan për gjetjen e armëve, të trakteve e komunikatave komuniste etj. Në familjen Alhasa u gjetën dy pushkë dhe disa trakte. Për këto fashistët e plaçkitën shtëpitë dhe e dogjën. Burrat e fisit Alhasa u pushkatuan. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 15, datë 31.01.1981, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Matit.

Demir Ramazan Alhasa u lind më 1913 në Lenë në një familje patriote dhe të ndershme në punë dhe në krahinë. Në jetë u ndesh me vështirësi dhe bëri sa punën e bujkut aq deh të blegtorit. Simpatizoi që në fillim Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ndihmoi duke qënë anëtar i çetës territorial të fshatit, si dhe shtëpinë e kthye në bazë të luftës në fshatin Lenë. Ishte në 60 burrat që u mbajtën peng nga fashistët italainë në Martanesh. Në shtëpinë e tij u gjetën armë dhe trakte të përgatitur nga PKSH, që bënin thirrje për luftë kundër fashizmit. U masakrua në oborrin e shtëpisë së bashku me babanë e tij, Ramazan deh kushëririn Muharrem. Është shpallur dëshmor i Atdheut me vendim nr. 15, datë 31.01.1981, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Matit.

Në zonën Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh, gjatë muajit dhjetor u zhvillua operacioni më i rëndësishëm i pushtuesve hitlerianë. Trupat operuese armike gjithë ditën kërkuan që të zbulonin drejtimet e lëvizjes dhe të përqëndrimit të forcave partizane për t’i rrethuar e asgjësuar grupe-grupe. Por ata nuk i gjetën gjëkundi. Këto përpjekje nuk i dhanë mundësi komandës gjermane të operacionit të sqaronte gjëndjen e të zbulonte ku ndodheshin me saktësi partizanët. Ditën e tretë të operacionit ajo raportonte se prapë nuk e kish hiç të qartë se ku ndodheshin “çetat komuniste”. Kështu së bashku me tradhtarët u orvatën të zbulonin, të ndiqnin, dhe të sulmonin kundër fshatrave ku ndodheshin partizanët. Më 20 dhjetor 1943 forcat gjermane dhe mercenare dogjën fshatrat Gjon, Malcë, Peshk dhe Lenë, grabitën pasuritë dhe bagëtitë. Të egërsuar se nuk gjetën asgjë në shtëpinë e Rihana Kaca, as partizanë, as armë apo ndonjë material kompromentues për mbështetjen ndaj luftës e pushkatuan së bashku me me fshatarët e kapur në këto fshatarët Mahmut Lena, Zenel Koçi, Ram Fejza e Myslim Grrica, të akuzuar si aktivistë të Lëvizjes Nacionalçlirimtare.

Rihana Ali Kaca u lind në Krastë më 1900 në një familje fshatare të varfër e lidhur shpirtërisht me teqën e Martaneshit. U martua në Lenë. Edhe familja e bashkëshortit të saj ishin të lidhur me teqen, merreshin me bujqësi e blegtori. Rihana ishte punëtore, një familjare e përkushtuar dhe shumë humane. Si çdo nënë shqiptare e martaneshëse ishte mjaft e shqetësuar për gjendjen ekonomike të familjes mungesa e perspektivës, që kishin ardhur nga regjimi i Zogut, por edhe nga pushtimi i Shqipërisë nga Italia fashiste.

Familja e Rihanës ishte lidhur me luftën, ato kishin krijuar një besim se duke u bashkuar mund të çlirohen e të punojnë në liri e në paqe. Ajo i mbështeti, i ndihmoi partizanët jo vetëm fizikisht por edhe moralisht. Strehë e partizanëve bazë e luftës vet Rihana u çonte bukë partizanëve në mal, inkurajonte njerëzit e afërt për të luftuar të bashkuar me njeri-tjetrin.

Rihana Kaca është shpallur dëshmore e Atdheut me vendim nr. 48, datë 04.05.1985, të Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Matit. Po kështu dhe Mahmut Lena nga fshati Peshk, me vendim nr. 38, datë 22.7.1974; Zenel Koçi nga fshati Peshk, më vendim nr. 38, datë 22.7.1974; Ram Fejza nga fshati Val, më vendim nr. 38, datë 22.7.1974 dhe Myslim Grrica nga fshati Peshk, me vendim nr. 38, datë 22.7.1974.