MBLEDHJA DHE MIZA E KALIT
– tregim-
Mbledhja vazhdonte të ishte e tensionuar. Shefat jepnin llogari njëri pas tjetrit duke gjendur justifikime nga më të ndryshmet. Punët nuk ishin mirë në ndërrmarrje.
Qarkullonin fjalë se do kishte shkarkime nga puna të drejtuesve të sektorëve, dhe ndonjëri mund të përfundonte keq fare, deri në transferim punëtor në një brigadë të kooperativës bujqësore.
Unë isha ulur diku në reshtin e dytë, zakonisht ashtu uleshim ne specialistët, pas shefave kryesor dhe përgjegjësve të sektorëve.
Në mëndje më sillej një bisedë e bërë me rojet e natës së stallave në kohën studentore kur bëja praktikën mësimore në një ndërmarrje bujqësore të rrethit dhe një natë ushtrova kontroll të befasishëm.
I gjeta të gjithë sëbashku tek ngroheshin në një zjarr që e kishin ndezur në oborrin e linjës së përpunimit të ushqimeve.
-Si e kaloni natën? i pyeta thjeshtë pēr të shuar kuriozitetin.
– Tërë natën diskutojmë kuadrot e ndërrmarrjes, i heqim, i transferojmë, i ngremë në përgjegjësi dhe i ulim edhe punëtore të thjeshtë. Tërë natën këtë punë bëjmë. Në mengjez i lëmë aty ku ishim dhe në darkë kur kthehemi në punë i diskutojmë persëri. Ka raste që na del parashikimi.
-Po mua më keni diskutuar? i pyeta me shaka.
– Sigurisht që po. Ju pas përfundimit të shkollës së lartë do të emëroheni në kooperativë bujqësore, profeci kjo, që u realizua vërtetë.
Këtë bisedë e sillja nëpër mënd, teksa dëgjoja zërin nervoz të shefit të madh. Thoja sikur ti kisha takuar rojet e natës si mendonin për ne specialistët dhe përgjegjësit që pritnim gjithë ankth përfundimin e mbledhjes.
Teksa mbledhja vazhdonte ashtu e tensionuar, si për ta ndërlikuar më tej, një mizë kali fluturonte herë te shefi i madh e here te ne të pranishmit. E qëllonim me pëllëmbë, por ajo s’dorëzohej. Pasi na bezdisi kaq shumë, veçanërisht shefin, sikur ja bënte pēr inat, ai i dha urdhër përgjegjësit të blegtorisë të thirrte karrocierin pasi ai ja dinte mizës se ishte mësuar me të.
Karrocjeri erdhi. Pershendeti të pranishmit dhe pa çarë kokën fare pyeti: Si është puna?
Po na besdis një mizë kali -tha shefi madh, duam ta vrasim apo ta nxjerrim përjashta, ti merresh me kuaj dhe ja din, ndaj të thirrëm.
Karrocjeri gjakftohtë vuri buzën në gaz dhe tha qetësisht.
-Pa dalë kali përjashta miza nuk del.
Shtangëm për atë që dëgjuam.
Karrocjeri doli, mos harroni ç’ju thashë përsëriti teksa tërhoqi derën. Kuptohet nuk e pranoi poshtërimin.
Ne vazhduam mbledhjen me mizën e kalit të pranishme. Asnjëri nuk kishim bisht ta vrisnim.