Mbushur shporta me shpresa-Nga Albert Habazaj


Gëzuar Vitin e Ri 2025 nga Vlora

Nga Albert Habazaj

Mbushur shporta me shpresa.

Tungjatjeta nga buzëdeti vlonjat!

Dymijë e njëzet e pesa

Qoftë për ju – lule dhe mjaltë!

Uroj një vit të ri të mbarë për njerëzit e mi, për miqtë e mi, për Tërbaçiotët e mi, për dinjitozet “10 Shqiponjat e Tërbaçit” dhe gjithë artistët popullorë – bilbila e thëllëza, për të mirët e Letrave Shqipe, për botuesit e gazetave dhe portaleve ku unë shkruaj e botoj, për të mirët e 30 – vjeçarit faqebardhë Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë, për kolegët e mi – fisnikët e Bibliotekave universitare, akademike dhe të atyre publike, për studiuesit e vërtetë dhe bibliografët e paktë, për Shqipëridashësit e Atdheut tonë qytetar për një Shqipëri – lule në mes shoqeve, siç e ëndërronin Rilindasit e Vërtetë!

2025 – a qoftë fatbukur për fisnikë si Ju:

Gonxhes, pa çelur, i vola freskinë,

Ëmbëlsinë ia preva nga hojet mjaltit,

Zemra qesh e më bëhet mandolinë,

Urimi bëhet notë e pentagramit…

Adhurueshëm spërkat me dritë Vlore

Romantikën e ndritshme me flatra lulebore.

Vala, si pulëbardhë, Adriatikut e Jonit

I merr me vete dëshirëmirat e Vitit,

Të vesuara freskët me aromën e limonit,

I zbukuron hijshëm gjelbërorja e ullirit.

Në buzë të detit bëhem lirikë për ju

E nis me valët mesazhin si trëndafil me vesë

Rezonancë bën diellin urimi im kështu,

I Vitit të Ri Dymijë e njëzet e pesë.

Vlorë, 1 Janar 2025