Melina, harmonia e fjalëve dhe melodia e shpirtit-Nga Timo Mërkuri


Poezia “Melina” e Luan Ramës më krijoi një ndjesi unike pasi sikur gjatë leximit isha i shoqëruar nga tingujt e një kitare dhe buzuku grek, ndjesi që besoj se mu krijua nga që e njihja personalitetin e Melina Mërkurit, por më shumë nga fakti se duke e parë disa herë filmin “Ποτέ την Κυριακή” (“Kurrë të Dielën”) të vitit 1960 ku Melina kishte rol kryesor, madje këndoi dhe këngën e famëshme “Τα Παιδιά του Πειραιά” (Djemtë e Pireut). Kjo këngë jo vetëm i dha vlera filmit por u bë e famëshme në Greqi, madje kaloi dhe kufirin dhe u mësua dhe nga djemtë shqiptarë të qyteteve kufitare, të cilët edhe e këndonin në ambiente të rinjsh. Duke menduar për këtë efekt melodik të kësaj poezie nisa ta lexoj me vëmëndje të shtuar për të kuptuar në se është rezultat i vetë vlera artistike të saj, si përdorimi i figurave artistike, zanoreve dhe ritmit poetik që evokojnë atmosferën muzikore, duke e bërë leximin e poezisë një përvojë të veçantë dhe të këndshme, apo ishte thjeshstë një hamendësim imi.

I-Ndjenja e pranisë së kitarës është e para që të krijohet në lexim, ndoshta pse tingujt e kitarës janë të njohur për butësinë dhe qetësinë e tyre. Në poezinë “Melina”, disa vargje krijojnë këtë ndjesi përmes përdorimit të zanoreve dhe ritmit të qetë:

“Erdha Melina

njëzet vjet rrugë mu deshën

të vija tek ti në zemër të Athinës”,

Këto vargje kanë një rrjedhshmëri të butë dhe të krijpjnë ndjesinë sikur lexuesi është i shoqëruar nga tingujt e një kitare të qetë. Përdorimi i zanoreve “a” dhe “e” ndihmon në krijimin e kësaj atmosfere të qetë dhe të ngrohtë.

Buzuku grek është një instrument muzikor që prodhon tinguj të gjallë dhe ritmik. Disa vargje të poezisë krijojnë këtë ndjesi përmes ritmit të gjallë dhe zanoreve të mprehta:

merre këtë cigare Mërkuri,

çohu dhe ndize si njëherë

ngjitu në këtë trapez të mermertë dhe kërce një «rebetiko»

kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo»,

Sigurisht që mua më kujtohet kërcimi i valles së famëshme “rebetiko” dhe zëri i saj i fuqishëm dhe plot ëmbëlsi i Melinës kur klith: “Sagapoooo” (të dua) sepse filmin e kisha parë disa herë, por pikërisht kjo ndjenjë që mu krijua në lexim më bindi se më shumë se kujtesa ime, këtu ndikoi formimi i vargjeve plot melodicitet buzuku, si hojet e bletëve plot mjaltë. Sinqerisht që këto vargje kanë një ritëm të gjallë dhe ndjenjë energjike që evokojnë tingujt e një buzuku grek, veçanërisht përmendja e “rebetiko” dhe “djemtë e Pireut” që janë të lidhura me muzikën tradicionale greke. Ende kujtohen vargjet e këngës “Djemtë e Pireut”kënduar nga Melina: “Γειά σου Τζένη, με τα μπουζούκια σου/και τα παιδιά, απ’ το Πειραιά/ και eνα και δυο και τρία και τέσσερα παιδιά /Γειά σου Μαρία, με τα μάτια τα μεγάλα”që me një përkthim të lirë kanë kuptimin: “Përshëndetje Xheni, me buzukun tënd/dhe djemtë e Pireut/Një dhe dy dhe tre dhe katër djem/ Përshëndetje Maria, me sytë e mëdhenj”. Shto këtu që dhe përdorimi i zanoreve “i” dhe “o” jep një kontribut në krijimin e kësaj atmosfere energjike dhe muzikore.

Është interesante fakti se te kjo poezi edhe figurat artistike e metaforat e saj kontribuojnë në ndjesinë e të qenit i shoqëruar nga muzika, sit e vargu:”Kafenea Melina” shndriste në diell si një vajzë e dashuruar”ku kjo metaforë krijon një imazh të gjallë dhe të ndjeshëm që rezonon me lexuesin, duke krijuar një atmosferë melodike dhe të ngrohtë, të ngjashëm me tingujt e një kitare të qetë në sfond.

Po ashtu dhe imazhet në poezi ndihmojnë në krijimin e ndjesisë së të qenit të shoqëruar nga muzika, sit e vargjet:

duart dhe gishtërinjtë e tua

që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë

ku imazhi evokon një ndjesi të qetë dhe të ndritshme, duke krijuar një atmosferë që mundtë krijon idenë e të qënit shoqëruar nga tingujt e butë të një kitare ose buzuku. Sigurisht që duhet ta njohësh melodinë e buzukut grek që ti përjetosh këto ndjenja. Nuk e di sa është e vërtetë por ndjej se Luan Rama e njeh shumë mirë këtë instrument dhe melodinë e tij, ndryshe nuk kishte si ta trasmentonte në vargje.

Përfundimisht poezia”Melina” e Luan Ramës arrin të krijojë një ndjesi leximi sikur je i shoqëruar nën tingujt e një kitare dhe buzuku grek përmes përdorimit të zanoreve, ritmit dhe figurave artistike. Këto elemente bashkohen për të krijuar një atmosferë muzikore që bën leximin e poezisë të këndshme dhe melodike. Ky efekt ndihmon në thellimin e lidhjes emocionale të lexuesit me poezinë dhe portretin e Melina Merkuri-t, duke e bërë atë një homazh të veçantë dhe artistik.

II-Poezia është një homazh për Melina Merkurin, figurë e shquar e artit dhe kulturës greke, e cila pati një ndikim të jashtëzakonshëm si artiste dhe politikane. Melodiciteti artistik i kësaj poezie është një nga elementët që e bën atë të veçantë dhe e lidh me trashëgiminë e Melinës. Le të përqendrohemi në faktorët që formësojnë këtë melodicitet dhe ndikimin e Melina Merkurit.

1.Poezia përdor një strukturë ritmike të qëndrueshme që ndihmon në krijimin e një ndjenje melodike. Vargjet janë të ndara në fraza të qarta dhe të balancuara, që lejojnë një rrjedhshmëri të natyrshme kur lexohen me zë:

“Erdha Melina

njëzet vjet rrugë mu deshën

të vija tek ti në zemër të Athinës”,

Ky ritëm i qetë dhe i balancuar krijon një efekt qetësues dhe melodik, duke e bërë poezinë të ndjehet si një këngë ose himn.

2.Imagjinata e fuqishme dhe përshkrimet vizuale kontribuojnë në melodicitetin e poezisë, psh te vargu:”Kafenea Melina” shndriste në diell si një vajzë e dashuruar,” imazhi i kafenesë që shndrit në diell dhe krahasimi me një vajzë të dashuruar krijojnë një pamje poetike dhe të ndjeshme që rezonon me lexuesin.

3.Metaforat dhe simbolet janë përdorur për të dhënë ndjenja dhe kuptime të thella:

“merre këtë cigare Mërkuri,

çohu dhe ndize si njëherë”

Realisht Melina Mërkuri e pinte shumë cigaren, ndaj poeti duke i thënë : ..”ndize si njëherë”, evokon kujtime të dashura, por njëkohësisht shton një shtresë emocionali-teti dhe thellësie melodike.

III- Melina Merkuri (1920-1994) ishte një nga figurat më të njohura dhe të dashura të Greqisë. E njohur si aktore, këngëtare dhe politikane, ajo luajti një rol të rëndësi-shëm në kulturën dhe politikën greke. Portreti i saj është pasqyruar në në poezinë e Luan Ramës, “Melina” me dashuri dhe aspekt historik, që i shoqëruar me pasazhe nga poezia që përforcojnë kuptimin poetik:

1.Melina Merkuri filloi karrierën e saj si aktore në teatër dhe film. Ajo u bë e famshme ndërkombëtarisht me rolin e saj në filmin “Never on Sunday” (1960), për të cilin fitoi çmimin për aktoren më të mirë në Festivalin e Filmit në Kannë dhe u nominua për një Oscar. Një nga këngët më të njohura nga ky film është “Τα Παιδιά του Πειραιά” (“Djemtë e Pireut”), të cilën ajo e këndoi vetë.Vargu: “kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo»”i referohet këngës ikonike që e bëri Melinën të famshme në mbarë botën.

2.Gjatë diktaturës së kolonelëve në Greqi (1967-1974), Melina Merkuri u bë një figurë kryesore në rezistencën kundër regjimit. Ajo e përdori famën e saj për të ngritur zërin kundër diktaturës dhe për të mbështetur demokracinë.

Vlen të themi se vargu: “Melina, gjaku im i shprishur” dëshmon origjinë Bregdetase të cilën ajo asnjëherë nuk e mohoi por, jo vetëm e shprehu publikisht por dha edhe ndihmesën e saj qoftë si politikane në përmirësimin e mardhëmnieve Shqipëri-Greqi, qoftë dhe në ndihmën personale për një numër të madh emigrantësh shqiptarë në Greqi. Mund tju kujtojmë se ishte pjestare e ekipit qeveritar grek në vizitën e parë në Shqipëri në vitin 1987 në një kohë që Shqipëria po bënte hapa të vegjël drejt botës, ku Melina Mërkuri ishte në delegacion si Ministre e Kulturës. Vlen të themi se kjo vizitë shënoi një përmirësim të ndjeshëm të m,ardhënieve greko-shqiptare duke krijuar platformën për bashkpunime të ardhëshme në fusha të ndryshme, sigurisht duke përfshirë kulturën, tregëtinë dhe politikën.

3.Pas rikthimit të demokracisë në Greqi, Melina Merkuri u zgjodh në Parlament dhe shërbeu si Ministre e Kulturës nga viti 1981 deri në vitin 1989 dhe përsëri nga 1993 deri në vdekjen e saj në 1994. Ajo ishte një luftëtare e zjarrtë e rruajtjen së trashëgimisë kulturore dhe promovimin e artit grek.Vargjet:

“Kërce Melina ime, kërce dhe njëherë për mua,

se të puthurën tënde ende e kam në faqe

dhe përqafimi yt krahët mi ngroh”,

pasqyrojnë dashurinë dhe respektin që poeti ndjen për Melinën, duke e kujtuar atë si një figurë të ngrohtë dhe të dashur që ka lënë një ndikim të thellë.

4.Melina Merkuri është e njohur për fushatën e saj për rikthimin e statujave të mermerëta të Parthenonit në Greqi, statuja të grabitura nëpër shekuj nga Anglia dhe fuqitë e tjera, një kauzë që vazhdon edhe sot. Vargjet:

duart dhe gishtërinjtë e tua

që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë

dhe vargjet e rënda të Janis Ricos,

evokojnë pasionin e saj për artin dhe kulturën, si dhe përkushtimin e saj për trashë-giminë greke.

Melina Merkuri ishte një figurë e shumëdimensionale – aktore, këngëtare, aktiviste dhe politikane. Poezia “Melina” e Luan Ramës përshkruan këtë portret të pasur dhe kompleks përmes vargjeve të saj, duke kapur thelbin e pasionit dhe dedikimit të Melinës ndaj artit, lirisë dhe kulturës greke. Përmes vargjeve të poezisë, lexuesi mund të ndjejë dashurinë dhe respektin e poetit për këtë ikonë të artit dhe kulturës, duke krijuar një homazh të ndjeshëm dhe të fuqishëm poetik për një grua që ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në historinë dhe kulturën greke.

A e di Luan Rama, tema e poezisë më jep shkas dhe për një falnderim prej meje personalisht, në një kohë që niveli I saj I epërm artistic më inspiron në një analizë vlerësimi, pikërisht në elementin më brilant të saj, në melodicitetin poetik.

Sarandë, më korrik 2024

Melina…

Erdha Melina

njëzet vjet rrugë mu deshën

të vija tek ti në zemër të Athinës,

një kafe piva në lagjen «Plaka»,

«Kafenea Melina» shndriste në diell si një vajzë e dashuruar,

rrugën mora nga Akropoli për tek ti

atje ku flije nën mermerin e nxehtë të Moresë,

merre këtë cigare Mërkuri,

çohu dhe ndize si njëherë

ngjitu në këtë trapez të mermertë dhe kërce një «rebetiko»

kujto «djemtë e Pireut» dhe klith një «sagapo»,

çou dhe këndo këngën e trishtë të “qirios Andonit”

që i lumtur ishte veç në ëndërr,

Melina, gjaku im i shprishur,

i dua sytë e tu të mëdhenj siç dua detin

dhe diellin që bie e shuhet në të,

gjithë dashuritë e Greqisë janë në sytë e tu

dhe shkuma e Jonit dhe e Egjeut që vjen e të mbulon gjer këtu,

Kërce Melina ime, kërce dhe njëherë për mua,

se të puthurën tënde ende e kam në faqe

dhe përqafimi yt krahët mi ngroh,

ah, duart dhe gishtërinjtë e tua

që dikur mbanin në drithërimë një hënë të argjendë

dhe vargjet e rënda të Janis Ricos,

shko tani Melina, u bë vonë,

shko ti vajzë e Argolidhës arvanitase

Dasin dhe Haxhidhakis të presin atje nën dhé,

shko ashtu përhumbur në tymin e cigares

se agimi po afron dhe bota do të zgjohet,

ndryshe do duhet të të mbart mbi vete,

të shkoj si bohemi i legjendës nëpër erë

ku ca fjalë të prushta pas nesh do jehojnë:

një i gjallë me një të vdekur shkon…