Moknusha- Nikollë Loka


Një iliriane

me flokët kallëz pishe,

tufë rrezesh

në ditën për diell,

kur shkonte

të bluante në mokën

ëndrrat   

i përzinte me miell.

Në shpat

një bari thurte vargje,

e fyelli malit ia jepte,

hijeshia e vashës së re,

zemrën ia mori

me vete.

Bariut gjysma e shpirtit

iu shemb,

në stinën e rënies

së gjetheve.

Dy hije mjaftojnë

për një mal,

Moknusha

dhe Mokna e Vjetër.

Gabimi i Jerinës

Një sy i lig i pa matanë,

Jerina e bukur u kaloi pranë.

Se zoti vetë deshi t’i masë

në duel trimat për një vashë.

Hynë burrat në mes, e dot s’i ndanë,

rrufetë prej qiellit nuk i vranë.

Vrasjen e nxit Jerina e shkretë,

zgjodhi për qejf të zemrës së vet.

Dy herë fitoi Lekë Zaharia,

në duel lufte dhe dashurie.

Lekë Dukagjini qëkur kish lerë,

nuk ishte mësuar me humb dy herë.

Me zor tërhiqet e i fsheh dy plagë,

njëra i dhemb, tjetra i rrjedh gjak.

Jerinë u fute në rrugë pa krye,

luanët me plagë, nuk dinë me u thye.

Pse nuk e bëre ti zemrën gur,

të thoshe asnjërin s’e marr për burrë!

Pse s’i plagose me një shigjetë,

që të qetësohej Arbëria e shkretë.

Më mirë betim, me vdekë virgjinë,

nuk e gëzove Lekë Zaharinë!

Një hije e kohës

Koha më la,

një hije e saj erdhi e shkoi,

nuk di ku ra, e sa qëndroi,

as kur u nis e fluturoj,

askush s’e pa,

askush s’e zu me gojë,

sekonda s’ka,

minuta dhe as orë,

veç kupë e qiellit,

ndarë në pjesë,

në dy përshëndetje mirëmbrëma, mirëmëngjes!

Hija e kohës që zvogëlohet e rritet,

t’i tregon paraditet e pasditet,

trokëllimë kuajsh përmbi kalldrëm,

t’i afrojnë ardhjet dhe ikjet,

terri dhe drita

lënë gjurmë në syrin tënd,

para kohës zgjohesh,

pas kohës fikesh,

pa trazuar askënd.