Mozaik i çrregullt-Agon Halabaku


Mozaik i çrregullt

Nëpër rrugët e çara të mendjes sime,

I mbledh copat e jetës, pa ngjyrë e formë,

S’i besoj më rregullave të artit të vjetër,

As skicave që premtuan një qiell të sheshtë.

Fjalët derdhen, por s’kanë më kuptim,

Një mozaik i çrregullt që e përqafon zbrazëtinë.

Kësaj here s’ka histori me fillim e fund,

Veç fragmente të shkëputura, një botë në kaos.

Nëse jeta s’më dha rregulla, as unë s’do i kërkoj,

Do gjej bukurinë te ç’rregullsia, te thyerjet.

Gjithçka që thyehet, mbetet e lirë,

Ashtu si unë, mes dyshimeve të pafundme.

Me lotë të thara e buzëqeshje të shkrira,

Këndoj një këngë pa melodi.

Një rebelim ndaj harmonisë së përhershme,

Një përqafim ndaj absurdit që na mban gjallë.