Mushllinza*-Lamartin-Përktheu: Gëzim Isuf Baruti


Mushllinza*

Në grurin e pjekur, një mbrëmje festë,

këputi dora e vajzës së re;

Mbi kokën e saj, n`ata flokë të zes,

Ylli im i bardhë kërceu atje.

Lule shtëpiake e familiare,

Un` rrija atje si lerth, ngjitur fare,

Që ngjitet në trup të gjeorgjinës:

Faq`e saj qe e gjith` e zbukuruar;

Pastaj rash` e ftoht` dhe e zverdhuar:

E këmba e saj më fshiu tinës.

Por në mëngjes, në dritaren e tij,

Një kalimtar më pa rastësisht,

Anohej për të më njohur ai,

Dhe më hedh një vështrim miqësisht.

“Eja; më thotë ai, ti lule e mjerë,

Eja, dashuri, imazhi im përherë,

Objekt përçmimi e zilie që mbyt,

Eja thahu, mbi zemrën time t`bëj vend:

Loti im do jetë vesa jote argjend,

E shpirti im do jetë kopshti yt!”

Qysh atë ditë, zvarritur në bar,

Un` përqafohem rreth luleve tjera;

Mbështjell kërcellin e tyre krenar

Dhe ngjyrat ua mëkëmb përhera;

E vajzat e reja ndonjëherë

Me drapër vinë për të më prerë,

Për t`i bërë ballit hije me kurorë:

Unë lind e fishkur, e zbehtë si meiti,

Un` jam shermasheku i gjithë një viti.

Shkeleni të mjerën, mushllinzën e gjorë!

Përktheu: Gëzim Isuf Baruti

*mushllinzë, – njw lloj luleje si dredhkë.