Në fokus-Revista Hejza


Në fokus

ANGAZHIMI PËR VLERA APO PARA XHEPI!

Një piktor shqiptar i Maqedonisë së Veriut këto ditë paska realizuar një ekspozitë lëvizëse në tri qendra maqedonase në pjesën lindore të vendit. Një shtëpi botuese maqedonase paska botuar një libër nga një autor i respektueshëm shqiptar nga Prishtina! Një regjisor shqiptar qenka ftuar nga një teatër maqedonas! Vazhdimisht mund të hasen “fenomene” të tilla që shkaktohen nga pala maqedonase! Është kjo një politikë racionale që po imponohet nga shqiptarët apo është një ndërgjegjësim i kombit maqedonas për diversitetin kulturor të vendit! Jo, nuk është as njëra dhe as tjetra! Mediat maqedonase nuk i kanë kushtuar kurrfarë vëmendje ngjarjes kulturore të piktorit shqiptar që ka ekspozuar piktura në tri qendrat lindore maqedonase. Asnjë fjalë nuk është thënë për botimin e shkrimtarit të respektueshëm nga Kosova në gjuhën maqedonase. Madje, as që e njohin, as që ia dinë opusin krijues të tij. Po pse atëherë autorë dhe vepra shqiptare zënë vend nëpër programe kulturore maqedonase? Thjesht, për të provuar nëse do t’ia dalin të marrin plus ndonjë buxhet për veprat shqiptare, duke kërkuar nga autorët shqiptarë që të intervenojnë te zëvendësministri apo te sekretari shtetëror i Ministrisë për Kulturë, poste këta që drejtohen nga shqiptarë. Llogaritet një atraksion shumë interesant që një produksion, një shtëpi botuese, një menaxhues galerish maqedonase të merret me veprat shqiptare!

Nuk ka ndonjë strategji të veçantë institucionale për kultivimin e diversitetit kulturor, për këtë begati që ka ky vend dhe kjo shoqëri. Kureshtja nacionale maqedonase është në nivelin zero për sa i përket njohjes me artin dhe kulturën shqiptare. Prezantimi i piktorit shqiptar paska ndodhur me propozimin e Shoqatës së piktorëve shqiptar të Maqedonisë së Veriut. Pra, ky aktivitet na del si dëshirë e vetë shqiptarëve për të prezantuar vlerat e tyre në sa më shumë hapësira të ndryshme. Dhe nuk është se ky projekt ishte i paraparë në programin vjetor të një shtëpie maqedonase për kulturë, në një shoqatë apo në një produksion maqedonas. Madje, nëse ndodhë që të gjendet ndonjë projekt shqiptar, kjo bëhet me shumë ndruajtje, sepse mund të etiketohen e bullizohen si “shiptar” (shprehje pezhorative për të ofenduar dikë jo shqiptar)! Mund të numërohen në gishtat e një dore botues maqedonas që mund të njohë ndonjë shkrimtar shqiptar, qoftë ky edhe nga Maqedonia e Veriut. Do me thënë, nuk ka botues maqedonas që njeh veprën e ndonjë shkrimtari shqiptar për të cilën do të shprehte interesim për ta përkthyer e për ta botuar për lexuesit maqedonas. Në asnjë librari maqedonase, në asnjë kënd ku shiten libra në gjuhën maqedonase nuk mund të gjejë njeriu një shkrimtar shqiptar i përkthyer në maqedonisht. Në asnjë teatër maqedonas nuk mund të gjesh në repertor ndonjë shfaqe teatrale në maqedonisht të ndonjë dramaturgu shqiptar! Kurrë nuk ka pasur iniciativë që të bëhet ndonjë koncert i përbashkët i ansambleve të vendit, me qëllim që para shoqërisë multikulturore të shfaqen vlerat muzikore e folklorike që kultivohen në këtë nënqiell. Kjo, sepse, shoqëria maqedonase edhe sot e kësaj dite mëson nëpër njësi të ndryshme mësimore mbi shqiptarët si “pushtues”, si “njerëz që kanë zbritur nga mali” e që kanë shkatërruar gjithçka maqedonase. Pra, nuk mund të shijohen vlerat kulturo-artistike të një populli “barbar” si shqiptarët ardhacakë që kanë uzurpuar toka maqedonase! Këtë ligjëratë e dëgjojnë çdo ditë të rinjtë maqedonas. Prandaj edhe të vjetrit maqedonas nuk prezantojnë vlera shqiptare, por nëse e parashikojnë në programet e veta vjetore, këtë e bëjnë sa për të ardhur deri te ndonjë dorë leku dhe jo se e bëjnë me strategji për të vënë theksin mbi diversitetin aq të begatë kulturor të kësaj shoqërie multietnike.