NË KRYQ PËR DASHURI
(dedikim mikës frymëzuese Labe)
Mesnatë zgjuar ëndërronjës,
Gjer në dhembje shpirti im!
Që me gjakun tim të zemrës,
Mallin do e lë në shkrim!
Mes dhembjesh u pamë, u ndamë,
Si në ëndrra natën me shi.
Mes lotësh buza të dridhej,
Thoje, zot do vdes për ty!
Dhe frikë kisha të mos vrisja,
Të shtija në ty dashuri!
Por mes dhembjesh vonë mësova,
Veten kisha vrarë tani!
Kur natën pushoj të fle,
Shtrirë mbi një mendim të ri.
Krej natyrshëm ti më shfaqesh,
E vogla ime dashuri!
Kjo zemra ime krenare,
Të do, të puth me furi!
Atje tej mbi shteg të shkretë,
Të dy bashkë pimë dashurinë!
Kaq shumë dhemb koha ime,
Për ty këngë unë kam kënduar!
Për të bukurat krrelat tua,
Shpirtin vrarë e robëruar!
Të gjitha dhembjet i derdha,
Nga sytë e tu të lotuar.
Mbi gjoks kokën e mbështeta,
Të vdisja, a më mirë të vuaja!?
Ti ke yje, perla e diamante,
Çdo gjë të bukur mbi re.
Sy më t’bukur se Hirushja,
Si Helenë Troje më je!
O zot në ëndërr nuk jam,
Por jam me të bukurën që ti krijove.
Ëndërr që të gjithë e kanë,
Por ëndrrën veç unë jetova!
Dhe tash më përkund valë e detit,
Me natën e mbushur me yje!
Mes zjarrit përvëlues digjem,
Mes kodrash, brigjesh dashurie!
Prej krahësh tu mbështillem,
I pushtuar gjer në dhembje!
Prej syve tu të zinj,
loti me furi të binte!
Kaq hyjnore dashuria,
Sa misterin na zbuloi.
Si ndëshkim njerëzia,
Në kryq dyve na gozhdoi!