Në më vjen!Shire Dhima


Në më vjen moj rrugë e gjatë

Nuk më vjen koha me ty

Do me ngrejë tek mal i lartë

Ka bërë shkallët ,dy nga dy.

Në më vjen me perëndimin

Nuk kam fletë për kalendarë

S’më pëlqen të vesh zhgënjimin

Të kthehesh ti duar tharë.

Në më vjen ditën me diell

Dielli vjen gjithmonë për mua

Me rreze jetën ma mbjellë

Mbijnë farishte mollë dhe ftua.

Në më vjen natën pa hënë

Nuk më gjen në asnji vend

Me ëndrrat unë jam në hënë

Në minierën e argjend.

Në më vjen në zheg behari

Jam mes zogjsh,lart mbi pemë

Të kam lënë ca brirë kreari

Të t’i vesh mbi kokë si shenjë .

Mos guxo ti rrugë e gjatë

Si humbas gjurmët me ty

S’ta dorëzoj të ëmblin fat

Më ka falur mijëra sy.

Do të shemb ,nuk kam ç’të bëj

Ëndrrat do mbjellë trëndafilë

Sa aromë lartë do më ngrejë

Stinët do më falin prill.