NË MES–Xheladin A. Çitaku
(Nga libri im “Kërkoj Rrugën Time”)
*
Njeriu dhe koha sinorë më vunë në shtatin e brisht,
pa dhimbë, pa mëshirë, plagë hapën me teh bisturie,
që kullojnë vrragësh, përherë, në rrugëtimin e trisht,
s`përthahen dot me ëndrra, as me kurime hipokrizie.
*
Përcëllima shijuar nga shekujt e lindjes e t`perëndimit,
të mbretërive të skaduara, që nam lanë në rrugët e nxira,
njëra nxinë shpirtin, tjetra mprehë kmesën e sakatimit,
në udhëkryqe kohësh, vërtitur përjetimet në mënxyra.
*
Në aula ftohtësie, trungun e moçëm, thërmuar traktatesh,
dy polet e botës, me tërsllëmë rrufesh, lëshuar në goditje,
në thëllima hanxharësh e në rrjetëza të përthurura aktesh,
gjymtuar në copëza të dhimbshme, në thela për kusuritje.
*
Në gëzofe dhelprash, mbështjellur shpirti katran i satanës,
si dje dhe sot, përbuzja vërshuar në vezullime të maskuara,
veç shtytjes në kotësi boshe, pa luajtur gurët e muranës,
ripërtëriten orekse të gllabërimit për asgjëtë e premtuara.
*
Në lëmoshë shijehidhur, joshet tundimi nga palo civilizime,
me çiçrra s`ngopet ndërdija e ushqyer në shekujt që kaluam,
në yshtje mashtruese këmbehen përkëdheljet me kafshime,
e latën e ngulur gjymtyrësh, në altare harrimi vetbekuam.