Në stacione që s’i njeh e s’i di- Nikollë Loka


Ke arritur deri te një stacion pritjesh anonim,

ku këmbehen trena, orë takimesh, malli i ri dhe i vjetër,

rrugës për në veri, në kohë me shi,

rrugës për në kthim,

nisesh për në një vend

e mund të përfundosh diku tjetër.

Je pjesë e një turme që derdhet gjithandej,

në një rrjedhë që ndryshon pamje,

stacione të reja, me njerëz të rinj,

tjetër qiell,

takime të reja dhe ndarje…

Dhe vjen një çast kur ndihesh i largët,

i huaj që rend në kohët me shi,

je nisur ashtu kot dhe kot do të ndalesh,

në stacione që s’i njeh e s’i di.

Bie mjegulla

Bie mjegulla,

me një përtesë që ngjall kurreshtje,

sa delikate e ndjeshme!

Bie e bie

s’të lag as të than,

hapësirave pezull të mban.

E re dhe e vjetër,

prehet mbi flok e mbi vetull,

me një pamje të gjallë e të vdekur.

Imazhe të reja të zgjohen,

horizontet ngushtohen.

Bie mjegulla,

terrëtohet pamja,

shkurtohet

e të afrohet e ardhmja.

Të jetojmë bukur

Të rrijmë bukur,

të dijmë si të presim, si të shkojmë,

si të dukemi, si të nxitojmë,

si të zhdukemi,

udhëkryqet si t’i kalojmë.

Të vijmë bukur,

si një lajm që kalon gojë më gojë,

e s’don të ndalojë pa trokitur,

në çdo portë,

në çdo vatër që hapat na i njeh,

dhe sa na sheh do t’i kujtojë.

Të jetojmë bukur

mbi çdo hap që hedhim,

të kthehemi e të meditojmë

mbi çdo gjurmë që duket,

e mbi çdo zog e mbi çdo flutur,

kur pranë të na kalojë.

Të ecim bukur,

të flasim bukur,

bukur të mendojmë

për shtigjet e për rrugët,

dhe për çdo varg

e për çdo shkronjë.